AlbanianSport.com 06/05/2020 15:55
ASNN – Skuadrat e NBA-së pritet t’u kthehen stërvitjeve së shpejti, me masa të rrepta. Sipas asaj që raporton agjencia e lajmeve “Reuters” Klubet e basketbollit amerikan pritet kështu të marrin leje për të rihapur komplekset stërvitore për përdorim të kufizuar që nga e premtja, më pak se dy muaj pasi shpërthimi i virusit korona ka pezulluar sezonin në kampionatin e madh të basketbollit.
Pa udhëzimet e zhurmshme të trajnerëve dhe ndihmës-trajnerëve, stërvitjet nuk do të jenë siç janë zakonisht në NBA, por kjo është sidoqoftë një hap para drejt normalizimit për këtë kampionat. Lojtarëve do t’u kërkohet të mbajnë maska brenda kompleksit stërvitor, me përjashtim të periudhës kur janë të angazhuar në aktivitet fizik, thuhet në udhëzuesin e përgatitur.
Skuadrat duhet gjithashtu të dezinfektojnë çdo pajisje të përdorur, nga topat e basketbollit e deri te peshat. Por, edhe urdhrat e qëndrimit në shtëpi në disa prej shteteve të SHBA-së mund të luajnë rol, teksa disa janë hapur, por disa të tjerë vijojnë të mbajnë në fuqi masat e rrepta kufizuese. Shumica e sporteve profesioniste nëpër botë janë pezulluar, ndërsa shumë kampionate nëpër Amerikën e Veriut po e shqyrtojnë nëse duhet të vazhdohet sezoni dhe si të vazhdohet.
Klubet e kampionatit amerikan të futbollit (MLS) u janë kthyer të mërkurën stërvitjeve me rregulla strikte, ndërsa seria e garave me makina “NASCAR” planifikon t’i kthehet pistës më 17 maj, por pa shikues. NBA-ja ka qenë një nga kampionatet e para në Amerikën e Veriut që është goditur nga koronavirusi, pasi ndeshjet u anuluan në moment të fundit, sepse basketbolli i Jutah Xhezit, Rudi Gober, rezultoi pozitiv me virusin korona në mars.