AlbanianSport.com 02/01/2018 10:45
ASNN – Basketbolli amerikan vijon të prodhojë spektakël dhe emocione ditë pas dite. Ky edicion ka gjasa të jetë nga më të bukurit ndër vite, pasi ka shumë surpriza. Emrat e mëdhenj rrezikojnë të rrëzohen, dhe emrat e rinj po sfidojnë për të qenë në majë. E ndërsa Gollden Stejt bën “ligjin” në Konferencën e Perëndimit, në Konferencën e Lindjes, Miluoki Baks pësoi disfatën e parë sezonale.
Skuadra e Miluokit pësoi humbje në duelin përballë Boston Sëlltiks me shifrat 117-113. Ishte një ndeshje mjaft e bukur, por në fund fituan shtatlartët e Bostonit, skuadër me 21 tituj në Lindje. Për Miluokin ishte humbja e parë në 8 ndeshje të luajtura nga ky edicion, megjithatë, kjo skuadër vijon të jetë në krye të renditjes, pasi kishte fituar 7 ndeshjet e para.
Nga ana tjetër, Boston Sëlltiks u ngjitën në vend të 3-të, me 6 fitore e dy humbje. Në “TD Garden” të Bostonit, lojtarët e Boston Sëlltiks ishin të jashtëzakonshëm nga distanca për 3 pikë, duke realizuar plot 24 herë nga ky pozicion dhe duke thyer rekordin e tyre për më shumë 3-pikësha në një ndeshje. Pra fitore me kryesuesit dhe rekord trepikëshash, sepse 72 pikë ishin realim trepikëshash.
Në fitoren e Boston Sëlltiks më efikasi ishte Kiraj Irving me 28 pikë e 7 pasime për kosh, i ndihmuar nga Gordon Hajuard, i cili shtoi edhe 18 pikë e 5 pasime. Natyrisht, ky rezultat i jep një goditje skuadrës kryesuese, Miluoki Baks, sepse nuk e lë atë të krijojë diferencë me ndjekësit.