AlbanianSport.com 18/02/2019 15:25
ASNN – Mbrëmë vonë, u luajt ndeshja e yjeve të basketbollit amerikan, njohur edhe si “All Star Game”. Skuadra e grekut Janis Adentokumbo (Giannis Antentokunmpo) u përball me ekipin e LëBron Xhejmsit. Ndeshja u luajt në “Spectrum Center” të Sharlotës. Në përgjithësi ndeshja u konceptua si “Ekipi i LëBron përballë ekipit të Janis” dhe dhuroi emocione dhe spektakël të pakufi.
Në tërësinë e saj ishte një ndeshje ku pati shumë pikë, por në fund, fitoi skuadra e LëBron Xhejms me shifrat 178-164, ku vetë “mbreti” Xhejms, pati peshë në fitore në 6 minutat e fundit. Në fakt, lojtar më i mirë i ndeshjes ishte pikërisht greku me prejardhje nigeriane, i cili shënoi 38 pikë dhe zotëroi 11 topa në tabelë, duke qenë në lartësinë maksimale.
Diferencën e bëri shpirti i skuadrës së Xhejmsit, që ia doli në dy pjesët e fundit të regjistrojë shifra të qëndrueshme të fitores. Kështu, pjesa e parë u mbyll me shifrat 53-37 për skuadrën e Janisit, ndërsa 3 pjesët në vijim u dominuan nga skuadra e LëBronit, ku pjesa e dytë u fitua ngushtë me shifrat 45-42. Në pjesën e 3-të nisi shkëputja e skuadrës së Xhejmsit, e cila e fitoi këtë pjesë me shifrat 50-36.
Pikërisht në fund të kësaj pjese erdhi dhe përmbysja nga ana e ekipit të Xhejmsit, që vijoi të fitojë edhe 10-minutëshin e 4-t dhe të fundit me shifrat 46-33, dhe krejt ndeshjen 178-164, duke rrëmbyer kështu edhe fitoren në ndeshjen e yjeve, të quajtur ndryshe edhe “All Star Game 2019”.