AlbanianSport.com 15.08.2015 20:10
ASNN – Largimi i tre lojtarëve titullarë nga Naftëtari ka shqetësuar dukshëm tifozerinë vendëse, e cila është e interesuar për ndërtimin e një skuadre ambicioze, që menjëherë do të kthehet në Kategorinë e Parë.
E vërteta është se Naftëtari ende nuk ka nisur stërvitjen dhe periudhën përgatitore, ndërsa arsyen e vërtetë mund ta dinë vetëm drejtuesit e Bashkisë së Kuçovës dhe ata të klubit të futbollit.
Dhe për situatën në të cilën ndodhet futbolli kuçovar ka shqetësim tek tifozët e Naftëtarit, të cilët janë shumë të interesuar për situatën që kalon skuadra. Deri më tani ka vetëm lajme negative nga Naftëtari, ndërsa skuadra është duke u ndeshur vetëm me largime.
Një hemorragji që nuk po ndalet, kurse deri më tani janë tre të larguar. Kështu Zylyftari ka ikur te Bylisi, kurse Daci e Kopaçe i janë bashkuar Tomorit. Frika për largimin e lojtarëve të tjerë është e madhe, sepse skuadra nuk duket se ka një projekt serioz.
Aq më tepër që duket se ka edhe probleme financiare, ndërsa kështu titullarët kanë qenë të detyruar për t’u larguar. Ndaj tek Naftëtari gjendja është emergjente.