AlbanianSport.com 03.03.2016 13:10
ASNN – Naftëtari ka arritur dy fitore radhazi në këtë fillim të fazës së dytë në renditje duke ruajtur dhe kryesimin në grupin e Jugut, ndërsa puna e trajnerit vlonjat Fatmir Bacaj është duke u vlerësuar maksimalisht nga të gjithë.
Në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, Bacaj e ka konsideruar skuadrën e tij si pragmatiste, atje ku pas çdo jave për Naftëtarin kanë rëndësi fitoret dhe ruajtja e kreut.
E kjo deri në derbin me Tomorin, ndërsa pas fitoreve me Himarën dhe Memaliaj, Bacaj për “Sport Ekspres” do të deklaronte: “Nisur nga rezultatet në dy takimet e para unë jam i kënaqur me atë që skuadra ka dhënë në fushë.”
“Ne na intereson vetëm fitorja dhe kryesimi në grup. Unë them që skuadra pas çdo jave vjen duke u përmirësuar dhe shpërthimin e saj do ta ndjekë çdo kundërshtar”, – ka përfunduar vlonjati i stolit kuçovar.