AlbanianSport.com 11.08.2015 13:50
ASNN – Në atë që i përngjan praktikës së priftërinjve të krishterë apo murgjërve budistë për t’u shkëputur nga jeta e përditshme për një vit dhe t’i përkushtohen tërësisht adhurimit të Zotit, edhe Jurgen Klop është i vendosur të qëndrojë një vit pushim.
Ai që e konfirmon këtë lajm është vetë agjenti i trajnerit gjerman të futbollit, emri i të cilit është përmendur në Francë si një prej kandidatëve për të pasuar Marselo Bielsën në stolin e Olimpikut të Marsejës, së bashku me Mazarrin, Montelën dhe Zinedin Zidanin.
“Klopi mori vendimin e duhur kur refuzoi Olimpikun e Marsejës”, – deklaroi agjenti i trajnerit, Mark Kosiçke, duke folur për numrin e sotëm të së përditshmes së mirënjohur gjermane, “Bild”.
Sipas tij, skuadra franceze ishte e interesuar për të, por për Klopi nuk ka ardhur ende koha për t’iu rikthyer profesionit të trajnerit. Jurgen Klop ishte trajneri i Borusias së Dortmundit për 7 sezone.
Nën drejtimin e tij, verdhezinjtë fituan 2 tituj “kampionë” dhe një Kupë të Gjermanisë. Në sezonin 2012-2013, Borusia e Dortmundit arriti deri në finalen e Ligës së Kampioneve, ku u mund nga Bajerni i Mynihut.
Pas dorëheqjes së tij të papritur nga klubi gjerman, që erdhi vetëm pak kohë pasi ai kishte rinovuar me Dortmundin deri më 2018-tën, Klopi u përfol për një kalim të sigurt tek Reali i Madridit, por një gjë e tillë nuk u materializua.