AlbanianSport.com 05/01/2019 19:00
ASNN – Dy humbje radhazi përballë kundërshtarësh të dobët janë dëshmi e një krize të madhe besimi në radhët e Los Anxhelos Lejkërs në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Duke mos pasur në gjirin e tyre “mbretin” Xhejms, pra lojtarin më të mirë të koshit amerikan, LëBron Xhejms, Lejkërsat nuk dinë të fitojnë, madje tani rrezikojnë seriozisht të mos futen në 8 ekipet e para në Konferencën e Perëndimit, pozicione që sigurojnë kalimin në “play-off”.
Me Xhejms gjërat ishin ndryshe, pasi, edhe pse nuk ishte sezoni më i mirë për Lejkërsat, falë “mbretit” ia dilnin të kompensonin dhe të renditeshin në 4-5 ekipet e para në Perëndim. Por, siç dihet, LëBron Xhejms është i dëmtuar dhe mungon. Dhe në mungesë të tij skuadra më e titullar në NBA, Los Anxheklos Lejkërs pësuan disfatën e radhës, e katërta në pesë takimet e fundit. Kështu, Lejkërsat u mundën nga Nju Jork Niks me shifrat 119-112.
Skuadra që i mundi vinte pas 8 humbjesh rresht. Edhe pse disa lojtarë të skuadrës kaliforniane bënë punë të madhe, nuk ia dolën të shmangnin humbjen. Pa Xhejmsin, i cili ka 75 % të vlerës së ekipit, duket e pamundur arritja e objektivit dhe Los Anxhelos Lejkërs po vuajnë në këtë moment. Duhet thënë se Lejkërsat kanë pësuar 18 humbje në 39 takime të luajtura, diçka e pazakontë për një skuadër elitë të basketbollit amerikan, skuadër me emër të madh dhe që ka në gjirin e vet superyllin e basketbollit, siç është LëBron Xhejms.