Gjergj Vyshka 07.04.2016 13:50
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, ka lajmëruar se mundja shqiptare do të jetë pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar “Adriatika”, që organizohet nga data 8, deri më 10 prill 2016, në Poreç të Kroacisë.
Në këtë veprimtari marrin pjesë mbi 32 ekipe përfaqësuese, ndërsa është një veprimtari për të rinj në mundjen klasike. Dhe si e tillë, Shqipëria do të përfaqësohet nga Jurgen Uku në peshën 60 kg dhe Boris Frrokaj në peshën 74 kg.
Trajner do të jetë Ilir Cani, ndërsa pjesë e delegacionit shqiptar të mundjes do të jetë edhe gjyqtari Spartak Muho. Shpresohet në një përfaqësim dinjitoz të mundjes shqiptare në Kroaci.