AlbanianSport.com 01.03.2016 08:00
ASNN – Dritan Therepeli, “kampioni” i Shqipërisë në mundje për të rritur në peshën 71 kg, tashmë ka lënë Tomorin dhe është bërë pjesë e Flamurtarit. Një lëvizje e papritur kjo për të gjithë, sepse bëhet fjalë jo vetëm për një mundës cilësor, por dhe për një kandidat për ekipin tonë përfaqësues që pritet të marrë pjesë në garat eliminatore të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. E në mënyrë krejt të papritur, por dhe për shkaqe financiare, Therepeli ka vendosur që për vitin 2016 të jetë pjesë e Flamurtarit.
Kjo lëvizje sigurisht që nuk është parapëlqyer nga ana e drejtuesit të mirënjohur të Tomorit, në mënyrë të veçantë nga Mjeshtri i Merituar i Sportit dhe trajneri i ekipit tonë kombëtar, Ibrahim Keli. Një figurë e njohur për mundjen beratase, që ka gjysmëshekulli që kontribuon në sportin burrëror të klubit shumësportësh “Tomori”. Madje kontributi i tij në mundjen beratase është vlerësuar nga të dy pushtetet. Mirëpo tashmë janë mësuar dhe disa arsye pse Dritan Therepeli ka ikur nga Tomori për tek Flamurtari.
E vërteta është se nga klubi shumësportësh Tomori për këtë talent të mundjes beratase nuk ka pasur vlerësim financiar. E kjo për nivelin e tij të lartë dhe për titullin “kampion” që i ka dhënë Tomorit. Therepeli është një nga dy vëllezërit që kanë kontribuar në mundjen beratase. Ai ka pasur kërkesa të vazhdueshme për anën financiare, por klubi shumësportësh Tomori nuk është përgjigjur dhe nuk është ndjerë. E në përfundim kërkesa të tij financiare i është përgjigjur Flamurtari, ndërsa tashmë do ta federojë për vitin 2016.