Gjergj Vyshka 26.10.2015 18:00
Serxhio Roci, Eriglent Prizreni dhe Paris Karepi janë ata që janë ngjitur në podium në veprimtarinë e zhvilluar në Bursa të Turqisë. Mundja shqiptare, e cila ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin Ballkanik të moshës deri në 17 vjeç, që u zhvillua këtë fundjavë në Bursa të Turqisë, ka ardhur me tre medalje bronzi.
Sipas informacionit që ka dhënë për “Sport Ekspres” Ndriçim Spahiu, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Serxhio Roci në peshën 46 kg, Eriglent Prizreni në peshën 58 kg dhe Paris Karepi në peshën 100 kg janë ngjitur në podiumin e nderit.
E duke zënë vendin e tretë ata kanë merituar medaljet e bronzta, ndërsa në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 11 përfaqësuese. Ato ishin Turqia, Serbia, Bullgaria, Maqedonia, Greqia, Mali i Zi, Rumania, Bosnje-Hercegovina, Sllovenia, Shqipëria dhe Kosova.
Spahiu e ka vlerësuar si një arritje të mundjes shqiptare në këtë grupmoshë, ndërsa ka falënderuar dhe punën e bërë nga trajnerët Altin Kurti, Elton Azuni dhe Islam Islamaj. Në këtë veprimtari ka qenë edhe gjyqtari ndërkombëtar, Gani Gegolli. Tashmë mundja shqiptare bëhet gati për kampionati kombëtar të të rinjve në stilin e lirë dhe greko-romak, që do të bëhet më 30 dhe 31 tetor 2015.