AlbanianSport.com 16.04.2015 12:05
ASNN – Ka qenë një pjesëmarrje mbresëlënëse për kombëtaren shqiptare të mundjes në stilin e lirë dhe atë greko-romak ajo në turneun ballkanik për të rinj, të organizuar në Bursa të Turqisë. Sipas asaj që raportojnë mediat sportive vendase, e përfaqësuar me kombëtare të plotë në shoqërinë e trajnerëve Islam Islamaj dhe Orges Liçaj, Shqipëria zuri vendin e tretë në renditjen ekipore mes shteteve të Turqisë, Maqedonisë, Rumanisë, Bullgarisë, Greqisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
Në këtë veprimtari morën pjesë 100 mundës gjithsej. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, Shqipëria u nderua me pesë medalje bronzi. Në stilin e lirë u ngjitën në podium Arlind Gjoni (pesha 50 kg), Orges Lila (pesha 66 kg) dhe Omar Lila (pesha 74 kg). Sakaq, vendet e nderit për sportistët tanë nuk munguan as në stilin greko-romak përtej konkurrencës së fortë mes bashkëmoshatarëve nga Ballkani.
Kështu, Shpresim Gjana i peshës 66 kg dhe Jurgen Vlashi i peshës 84 kg rrëmbejnë gjithashtu medalje bronzi. Ndërsa Ramazan Lami zuri vendin e 4-t në peshën 55 kg. Me titullin e kampionit u vlerësua Turqia me 76 pikë të grumbulluara në total, e ndjekur në vend të dytë nga Rumania dhe Shqipëria kompletoi podiumin me 32 pikë. Gjatë qëndrimit në Turqi delegacioni shqiptar mori premtimin e federatës vendëse për mbështetje në të ardhmen në bazë materiale, por edhe me grumbullime sportistësh. Të gjitha shpenzimet e veprimtarisë u mbuluan nga vendi organizator.