Gjergj Vyshka 09.02.2016 09:35
Muka: “Jemi në kërkim të një tjetër trajneri. Mundësit, sidomos ata që trajtohen nga klubi, e kanë derën e hapur për të vazhduar, të tjerat janë krejtësisht trillime.” Akuza e trajnerit të mundjes së Apolonisë, Ardian Ferko, dy ditë më parë në gazetën “Sport Ekspres” se shefi i klubit shumësportësh të Fierit e do mundjen me qytetarë dhe jo me fshatarë, apo dhe largimi i trajnerit e shkrirja e këtij sporti nuk ka kaluar në heshtje. Edhe pse “Sport Ekspres” ka pasur dhe një zë të klubit shumësportësh “Apolonia”, që ishte inspektori Baftjar Abazi, i pari i këtij klubi, Astrit Mukaj, ka reaguar përsëri.
I ka quajtur trillime ato që trajneri Ferko ka thënë, ndërsa nëpërmjet zëdhënësit për shtyp të klubit shumësportësh “Apolonia,” Mikel Mbriçaj, ka sjellë dhe reagimin e tij atje ku ka pranuar se janë në kërkim të një tjetër trajneri, ndërsa mundja në Fier do të ekzistojë përsëri si sport, ndonëse sot është realisht e shkrirë dhe e pezulluar. Ja dhe reagimi i shefit të klubit shumësportësh Apolonia, Astrit Mukaj: “Jam shumë i indinjuar jo nga shkrimi, por nga të pavërtetat që kishte thënë trajneri i mundjes së klubit tonë, Ardian Ferko. E vërteta qëndron krejt ndryshe.”
“Kemi arritur të bëjmë një sallë të veçantë për sportet e rënda, atje ku të përgatiten të gjitha ekipet, – ka vijuar kreu i shumësportëshit fierak. – Ajo ka filluar të funksionojë në muajin tetor. Kishim vendosur që atje të stërvitej dhe ekipi i mundjes. Për arsye të ndryshme që më parashtroi trajneri në javën e parë të janarit, sepse kështu do të kishte dhe një mbarëvajtje më të mirë të aktivitetit. Ekipi i mundjes aktualisht e bën stërvitjen tek shkolla e fshatit Grecalli. Kuptohet kjo u arrit me ndërhyrjen tonë, dashamirësinë e Kryetarit të Bashkisë dhe të Drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale.”
“Të themi të drejtën atje nuk e lejonin të bënin stërvitje dhe i dërguam një shkresë drejtorisë së shkollës që pas programit mësimor, apo programeve të tjera që kishte shkolla, palestra e saj të shfrytëzohej nga ekipet e mundjes”, – ka shtuar ai. Duke vazhduar më tej Mukaj ka treguar se Ferko ka qenë i pezulluar së bashku me ekipin. “Por, – pranon Mukaj, – unë gjykova që ta riktheja pasi ai më erdhi në zyrë, më qau hallin, më ngriti problem që më sulmojnë së jam i djathtë. I kam thënë që mua nuk më intereson politika.”
“E rëndësishme për mua është që ekipet e mundjes që drejton t’i trajnosh mirë dhe të kesh rezultate, – ka vijuar ai. – Bindjet politike mbaji vete dhe e mbështeta. Por në javën e parë të janarit i thashë se kemi lënë një marrëveshje që të vish te qendra stërvitore e sporteve të rënda. Se të kemi lënë vendin gati, ndërsa atë bazë materiale që ke do të ndihmoj unë dhe inspektori t’i sjellësh në sallën që të kemi caktuar. Më tha që më 29 janar ne kemi asamblenë e mundjes dhe më kanë premtuar se do të më ndihmojnë ndoshta me bazë materiale dhe më 1 shkurt do të kaloj në sallën që keni vendosur ju.”