Gjergj Vyshka 09.02.2016 12:55
“I kërkova trajnerit Ardian Ferko, që, meqë jam shef i ri, të më japë kalendarin e vitit 2015, rezultatet që ka pasur dhe orët e stërvitjes për të bërë analizën, – ka sqaruar Shefi i shumësportëshit fierak, Astrit Mukaj. – Sepse janë sportistë që marrin trajtimet në klub. Trajneri pretendon se stërvit disa ekipe, por të them të drejtën nuk jam marrë shumë edhe për arsyet e mia. Megjithatë i thashë se me ardhjen këtu në kompleksin stërvitor të sporteve të rënda do të jesh nën kontroll dhe do të ndihmojmë fuqishëm dhe me bazë materiale. Dhe për këtë jemi interesuar për gjetjen e disa dyshekëve të mundjes që të sistemohej përfundimisht dhe sa më mirë”.
Por sipas Mukajt, Ferko dhe ekipi nuk vijnë në kompleks. “Më tha që nuk vijnë mundësit, sepse janë të gjithë nga fshatrat, – pretendon shefi i klubit fierak. – I verifikova dhe dalin se janë nga Fieri. Po si është e mundur që ata shkojnë nga Fieri në Grecalli dhe bëjnë stërvitje në bar. Atëherë kuptova se këtu kishte diçka. Kërkova nga zyra e financës që personat që kemi trajtuar t’u kërkojnë dokumentacion të rregullt dhe të shohim si është situata. I jap ultimatum për të shkuar në kompleks, por debaton ashpër me inspektorin e thotë përsëri që s’vijnë mundësit. Dhe, unë jo vetëm e kam pezulluar, por e kam përjashtuar automatikisht dhe ai nuk do të jetë më trajner i klubit tonë.”
“E ndjeva veten keq kur thotë se është një stallë lopësh për qendrën stërvitore të re të sporteve të rënda, ndërsa është shumë e mirë e brenda të gjitha përmasave për një stërvitje bashkëkohore pasi është me dhoma zhveshje, tualete dushe, etj., – këmbëngul Mukaj. – Jam i habitur kur thotë se ka dy autorizime për mbledhjen e asamblesë. E kjo është e habitshme dhe dashakeqëse kur unë një mandat të tillë e kam dhënë vetë. Akoma më keq kur thotë se ka biseduar me mua se unë paskam një djalë 13 vjeç dhe nuk e sjellë kurrë në mundje.”
“Djali im është 27 vjeç, është jurist dhe nuk kam bërë kurrë me atë nga këto muhabete, apo akoma më keq të kem thënë se unë s’merrem me fshatarët. Tashmë jemi në kërkim të një trajneri tjetër. Mundësat e kanë derën hapur që të vinë të stërviten dhe sidomos ata që janë trajtuar do mundohemi të jenë sërish pjesë e ekipeve tona”, – ka përfunduar Shefi i Klubit Shumësportësh “Apolonia”, Astrit Mukaj.