Gjergj Vyshka 19.09.2016 07:55
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ashtu sikurse ishte premtuar dhe sikurse kishte lajmëruar një ditë më parë “Sport Ekspres”, ka rrëfyer në mënyrën më ekskluzive të gjithë përpjekjen për t’i dhënë ftesën për në Rio, Egzon Shalës. Një ftesë që, sipas tij, është penguar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që në fakt, përtej rregullores së ndërkombëtarëve, ka aplikuar për federata të tjera sportive.
“Unë nuk bëhem aspak xheloz, – thotë Biba për “Sport Ekspres”, – por ama ne duhet ta kishim çuar deri në fund përpjekjen tonë për një ftesë për mundjen pavarësisht më pas se ndërkombëtaret mund të sillnin përgjigjen “shabllon” se “keni pasur numër të madh sportistësh para 4 vjetësh dhe nuk iu takon ftesa”.” Dhe menjëherë hidhet në atë çfarë është bërë për Shalën.
“Në raundin e kualifikueseve për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, atje ku Shala doli i 5-ti, jam takuar me presidentin e Federatës Evropiane të Mundjes, Tseno Tsenov, të cilit i kam kërkuar një ftesë për mundjen, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris mundjen shqiptare. – Dhe më ka thënë që duhet që ju si Federatë të bëni kërkesë në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, që më pas të përcjellë kërkesën drejt Federatës Botërore.”
“Ndërkohë në Zrenjanin ne nuk e arritëm dot normën dhe mundësia e vetme, duke shmangur Mongolinë, ishte Stambolli, – ka pohuar Biba. – Pikërisht në Stamboll kam takuar dhe Nenad Laloviçin, presidentin e Federatës Botërore të Mundjes, i cili më ka treguar që një ftesë e tillë është kompetencë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ndërsa kërkesa duhet të vijë nga KOKSH-i.”
“Dhe në Sofje, kur jam takuar më 20 maj me Tsenovin, më është thënë e njëjta gjë duke shtuar që duhet ta mbanim në kontakt për gjithçka që po ndodhte, – thotë jo pa keqardhje Biba. – Kam folur me Bezhanin dhe Bellon, ky i fundit ma ka përsëritur rregulloren. Por megjithatë e kemi dërguar dhe shkresën me protokoll e më pas është KOKSH-i që nuk e ka bërë pjesën e vet.”
Ndërkohë që kërkesat për ftesat janë bërë për Federatat”, – ka shtuar kreu i FSHM-së, i cili nuk ka lënë pa përmendur mosdhënien e bursës për Shalën. “Së pari, – thotë Biba, – Egzon Shala është “kampion” i Mesdheut dhe medalje e bronztë në Lojërat Mesdhetare 2013. Jo vetëm kaq, por është i 5-ti në Evropë dhe i 6-ti në botë. Dhe, si i tillë, i takonte bursa olimpike.”
“Mirëpo ne jemi një Federatë që paguajmë kuotat e anëtarësimit në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar e më pas nuk na vjen asnjë ftesë për në analizën vjetore, apo dhe të tjera si këto. Çfarë ndodh?”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba.