AlbanianSport.com 03/02/2019 17:00
ASNN – Sporti në Shqipëri është në një periudhë tranzicioni dhe në kërkim të stimujve që do t’i krijonin atij hapësira të reja ku do të operonte dhe zhvillohej me sukses në krahasim me vendet e rajonit. Natyrisht, krizat politike, sociale dhe ekonomike kanë ndikim edhe në sport, por duket se shtrëngimi i dorës nga institucionet sa i takon fondit “grant” për federatat sportive në vend, i ka nxjerrë sportistët dhe trajnerët, por edhe zyrtarët e federatave “në rrugë”, duke mos qenë aspak të kënaqur me shumën që akordohet.
Në këtë valë pakënaqësie janë dhe sportistët e trajnerët e mundjes, përfshi dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së këtij sporti e njëherësh ish-mundësin e madh Sahit Prizreni. Ky i fundit, duke folur për të përditshme shqiptare, gazetën “Sot”, kujtoi se fondi nuk ka asnjë ndryshim nga viti i shkuar dhe nëse një vit më parë pati vërejtje për pamjaftueshmërinë e fondit për të organizuar veprimtaritë kombëtare, këtë vit mund të dështojë kualifikimi i sportistëve shqiptarë në Olimpiadën e ardhshme të Tokios (2020).
Për Prizrenin, situata duket e vështirë, sepse këtë vit, nisur dhe nga fakti se veprimtaritë ndërkombëtare të këtij viti kanë vlerë kualifikuese, duhej që fondi për Federatën e Mundjes të ishte më i madh. Problemi nuk është vetëm fondi, por edhe mënyra se si po shihet nga ministria e linjës dhe institucionet e tjera sporti në tërësi, që sipas tij ka nevojë urgjente për mbështetje. Kjo është intervista e numrit 2 të organizmit që qeveris mundjen në Shqipërisë, Sahit Prizreni, që AlbanianSport.com do t’jua sjellë në 3 pjesë dhe sot është pjesa e parë.
– MASR ka ndarë fondet “grant” për federatat e ndryshme sportive, përfshi dhe mundjen. Sa është shuma që ka përfituar mundja shqiptare për këtë vit dhe a jeni të kënaqur nga sasia që do të keni në dispozicion për të zhvilluar garat?
– Fondi nuk ka ndryshim nga viti i kaluar. Është e njëjta shumë, diku tek 80 milionë lekë të vjetër, nga të cilat 20 milionë lekë do të shkojnë për pagat e administratës së Federatës, kurse për veprimtaritë do të mbeten 60 milionë lekë. Një shumë e tillë nuk përballon dot veprimtaritë kryesore të mundjes në rang kombëtar, e jo më të pretendohet për të marrë pjesë në veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare, ku këtë vit, i cili ka vlerë kualifikuese në Olimpiadë, ne e kemi të domosdoshme për të qenë pjesëmarrës në veprimtaritë e rëndësishme evropiane dhe botërore.
– Situata mund të mos jetë më e mira, por dhënia e fondeve vjen pas një studimi konkret nga dikasteri përkatës dhe parashikohet të mbulojë veprimtaritë sportive në harkun e një viti. I takon federatave të marrin masat për të përballuar veprimtaritë, apo jo?
– Nuk funksionon kështu. Secila federatë bën projektet e veta për veprimtaritë sportive brenda një standardi të pranuar dhe për këtë kalendar veprimtarish duhen fonde që jepen nga shteti. Por fondi i dhënë, konkretisht për mundjen, është totalisht i pamjaftueshëm. Me kaq para, ju siguroj që dështimi është i garantuar. Me këto shifra, maksimumi mund të marrim pjesë në dy veprimtari sportive ndërkombëtare me një numër të kufizuar sportistësh. Jemi ende të shokuar nga shifra, pasi, duke qenë vit që vlen për kualifikim në Olimpiadë prisnim më shumë. Është në interesin e një vendi të çojë sa më shumë sportistë në Lojërat Olimpike, por me shifra të tilla është e pamundur.
– Gjatë vitit 2018 ju bëtë shumë veprimtaritë me një shumë financiare të përafërt, madje organizuat edhe Kampionatin Ballkanik për Të Rinj në Tiranë. Si ia dolët?
– Ne Ballkaniadën e bëmë me një vështirësi të jashtëzakonshme. Me një sforco që nuk mund të tregohet, por ka ardhur momenti të thuhet se sporti nuk bëhet me lëmosha. Ne bëmë një veprimtari model dhe të ftuarit mbetën të kënaqur, pati pjesëmarrje të gjerë dhe rezultate të mira, por ju nuk e dini që këtë veprimtari nuk e mbështeti aspak institucioni që i takonte të ishte në krye të vendit, MARS-i. Nuk na dhanë asnjë qindarkë, për të mos shkuar më tej, sepse pati dhe një qëndrim aspak dinjitoz prej tyre, pasi nuk e përshëndetën fare Kampionatin.
– Pse kështu?
– Në çdo vend, kur ka veprimtaritë rajonale të rëndësishme, sikurse ishte Ballkaniada e mundjes, vijnë përfaqësues të ministrisë së linjës, është si një motivim për sportistët, trajnerët, federatën, komunitetin e atij sporti në tërësi. Por nuk erdhën. Ne vetëm fizikisht i donim, por as fizikisht nuk erdhën. Që këtu shihet se sa poshtë ka rënë sporti, askush nuk e ka mendjen tek sporti dhe më shumë se mungesa financiare, është mungesa e vëmendjes ajo që e vret më shumë sportin sot në Shqipëri.
Vijon nesër…