Gjergj Vyshka 11.08.2015 11:35
Mundja shqiptare tashmë është gati për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të të rriturve, i cili që nga 8 shtator 2015 zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Do të jenë tre pjesëmarrës, të paktën dhe sipas sekretarit të përgjithshëm Ndriçim Spahiu, ndërsa bëhet fjalë për Islam Islamajn, Vilson Ndregjonin dhe Egzon Shalën. Madje ajo që duhet theksuar është se të tre mundësit kanë një formë të mirë sportive.
Aq sa Islamaj në Lojërat e para Olimpike Evropiane pat zënë vendin e 5-të. Për fatin e mirë të mundësve, ndërsa tashmë fondet e Federatës Shqiptare të Mundjes janë të bllokuara, biletat e vajtjes në Amerikë janë prerë më përpara. Dhe delegacioni do të drejtohet nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, kurse trajner do të jetë Fuat Brahi.
“Të tre mundësit kanë formë të mirë sportive, veçanërisht Egzon Shala, që vazhdon stërvitjen në një pikë malore pranë Maqedonisë. Duke qenë se është garë kualifikuese, atëherë ne pretendojmë që të kemi rezultate të larta”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Ndriçim Spahiu, ndërsa tashmë mundja është gati për Botërorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.