AlbanianSport.com 11.05.2015 13:25
ASNN – Me një pjesëmarrje të madhe sportistësh, është zhvilluar në fundjavë Kupa e Shqipërisë në mundje për të rinj dhe paratërinj. Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes (FSHM), Martin Biba ka vlerësuar seriozitetin dhe punën e bërë nga trajnerët dhe sportistët për këtë veprimtari. Kupa e Shqipërisë ka qenë veprimtaria e radhës për Federatën Shqiptare të Mundjes.
Të dielën grupmoshat e Nën-16 dhe Nën-17-vjeçarëve kanë konkurruar për të marrë trofeun e dytë kombëtar, për nga rëndësia, Kupën e Shqipërisë. Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, pjesëmarrja në këtë veprimtari ka qenë e madhe, gjë që tregon masivitetin që po merr ky sport në vendin tonë. Ndërkaq, Teuta në stilin e lirë dhe Vlora në stilin greko-romak janë fitues të Kupës së Shqipërisë në mundje për grupmoshën deri në 16 vjeç.
Ndërsa në grupmoshën deri në 17 vjeç fitues të trofeut janë Teuta në stilin e lirë dhe Besëlidhja në stilin greko-romak. Kupa e Shqipërisë në mundje ka njohur ekipet fituese për kategorinë e moshës Nën-16 dhe Nën-17-vjeç. Kjo veprimtari ka patur një pjesëmarrje të gjerë teksa kanë marrë pjesë mjaft sportistë nga ekipet më të mira të vendit. Risia në këtë Kupë Shqipërie, ishte rikthimi i ekipit të Gollobordës, që i përket historisë së mundjes shqiptare.
Në përfundim të kësaj veprimtarie, ku nuk mungoi rivaliteti midis mundësve të të dy grupmoshave u përcaktuan ekipet fituese. Kështu për Nën-16-vjeçarët, fitues në stilin e lirë është shpallur Teuta me 33 pikë, në vendin e dytë Tirana me 23 pikë dhe në të tretin Kukësi me 16 pikë. Po për këtë moshë, në stilin greko Romak, u përcaktua kjo renditje, “Vlora Wrestling”, në vendin e parë, me 42 pikë, Tirana me 24 pikë në të dytin dhe në të tretin Besëlidhja me 19 pikë.
Në kategorinë e Nën-16-vjeçarëve, fitues në stilin e lirë u shpall Teuta me 35 pikë, më pas u renditën Kukësi me 22 pikë dhe Tirana me 17 pikë. Ndërsa në stilin greko romak në vendin e parë u rendit Besëlidhja me 28 pikë. Pas saj u renditën, Tirana me 23 pikë dhe “Vlora Wrestling”, me 22 pikë. Presidenti i FSHM-së, Martin Biba theksoi se pas Kupës së Shqipërisë, do të zhvillohet kampionati kombëtar për këto grupmosha.
Në përfundim të tij do të përcaktohen sportistët më të mirë që do të përbëjnë ekipet kombëtare, të cilat do të marrin pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare.