Gjergj Vyshka 26.06.2016 19:35
Kevin Kupi ka ardhur me medalje argjendi nga Turneu Ndërkombëtar “Refik Memisoviç-Brale”, që është zhvilluar në Subotica. Përveç Shqipërisë, në këtë veprimtari, kanë marrë pjesë dhe Austria, Bullgaria, Kroacia, Republika e Çekisë, Spanja, Finlanda, Franca, Greqia, Hungaria, Izraeli, Rumania, Polonia, Moldavia, Sllovenia, Sllovakia, Suedia, Turqia dhe Serbia.
Dhe Shqipëria, ashtu sikurse është paralajmëruar dhe ditë më parë, është përfaqësuar nga Kevin Kupi dhe Leonard Frrokaj, ndërsa trajner ka qenë Altin Bulku. Sipas informacionit që ka sjellë për “Sport Ekspres”, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Kevin Kupi ka fituar katër ndeshje me rezultate të thella, ndërsa në finale humbi për pak pikë.
Por në fund ka merituar medaljen e argjendtë. Sakaq, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Spahiu, Leonard Frrokaj ka bërë ndeshje të mira, por nuk ka mundur të hyjë në zonën e medaljeve. Megjithatë përfaqësimi i mundjes klasike të Shqipërisë me Kupin dhe Frrokajn në Subotica të Serbisë ka qenë dinjitoz.