Gjergj Vyshka 21.08.2015 10:25
“Këta trajnerë kanë të drejtën sipas ligjit të sportit, statutit dhe rregullores së FSHM-së për të votuar për zgjedhjen e organeve drejtuese (presidentin dhe komitetin drejtues) të FSHM-së. E nuk kanë të drejtë individë të cilët nuk kanë asnjë kontribut në sportin e mundjes. E ata janë në mbështetje të individëve të caktuar dhe segmenteve të pushtetit duke marrë mandate të dyta në kundërshtim me ligjin dhe statutin.
Statuti e përcakton qartë kur revokohet një mandat i lëshuar nga një anëtar i saj. Mandati i dytë lëshohet kur i mandatuari i parë është i pamundur për të marrë pjesë në asamble për arsye objektive. Vetëm atëherë klubi mandaton një person tjetër të komunitetit të mundjes për të marrë pjesë në këtë asamble duke njoftuar Federatën për këtë ndryshim.
Këta individë po tentojnë të uzurpojnë Federatën, organet drejtuese të saj të dala nga zgjedhjet e ligjshme të datës 30 maj 2015. Tashmë këto zgjedhje janë të certifikuara nga gjykata dhe cilësuar nga Federata Botërore si zgjedhje brilante të presidentit dhe organeve të tjera drejtuese. Informojmë opinionin publik dhe organizmat ndërkombëtarë që aderojnë në vendin tonë se znj Lindita Nikolla, e keqinformuar me dashje për interesa personale dhe politike nga Drejtoria e saj e Sportit, ka bllokuar grantin e Federatës me një urdhër të paligjshëm duke penguar kështu zhvillimin e veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nuk kemi marrë pjesë për shkak të kësaj gjëje në Kampionatin Evropian dhe Botëror për paratërinj e të rinj, të cilat zhvilloheshin këtë muaj. Po kështu kemi dhe pengesa për të vajtur në Kampionatin Botëror të të rriturve, që do të zhvillohet në Las Vegas nga 8-14 shtator, garë kjo kualifikuese për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Prandaj i bëjmë thirrje ministres Nikolla të zhbllokojë menjëherë fondin “grant” në mënyrë që Federata të zhvillojë aktivitetet e saj të cilat i ka miratuar vetë ajo.”