AlbanianSport.com 03/01/2018 21:10
ASNN – Në ditën e dytë të garave në Kampionatin Ballkanik për Të Rinj e të Reja, këtë të shtunë ishte radha e femrave. Për skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë garonin dy sportiste, Tea Sulo dhe Anxhela Imeraj. Të dyja vajzat shqiptare arrijnë të marrin medalje bronzi, pasi zunë vendin e tretë në peshat përkatëse 57 dhe 59 kg, një paraqitje e mirë e tyre në këtë veprimtari.
E ndërsa sportistet tona zunë vendin e tretë në peshat e tyre, në renditjen ekipore të femrave Shqipëria zuri vendin e dytë me 40 pikë, pas Turqisë që, as e diskutoi vendin e parë me kampionet e saj në të gjitha peshat dhe me klasifikim ekipor 200 pikë. Vendin e tretë si ekip e zuri Greqia me 20 pikë. Pas dy ditësh gara, Shqipëria ka fituar 7 medalje gjithsej, 5 në mundjen e lirë dhe dy me femrat, duke pasur një ecuri mjaft të mirë.
Edhe në renditjen ekipore në të dy gjinitë Shqipëria mban vendin e dytë pas turqve. Këta të fundit janë dominues absolutë të mundjes në shumicën e peshave edhe tek meshkujt. Të dielën është dita e tretë dhe e fundit e garave të mundjes në Kampionatin Ballkanik për të Rinj që po zhvillohet në kryeqytetin.
Kështu, Eriglent Prizreni dhe Paris Karepi shpresojnë të marrin titullin “Kampion Ballkani”, pasi kanë shumë cilësi dhe janë përgatitur mirë për këtë veprimtari rajonale. Por shpresohet që edhe sportistët e tjerë të bëjnë paraqitje të mira e të jenë në zonën e medaljeve.
Kampionatit Ballkanik
i Mundjes për Të Reja
Fitueset e femrave:
53 kg Rrahime Ari (Turqi)
57 kg Shinem Korogly (Turqi)
59 kg Suada Ozxhan (Turqi)
62 kg Sule Kabak (Turqi)
65 kg Gamzenur Adakan (Turqi)
68 kg Kadrije Akshoi (Turqi)
72 kg Merve Pul (Turqi)
76 kg Mehtep Gyltekin (Turqi)
Tri skuadrat më të mira për femra:
Turqia 200 pikë
Shqipëria 40 pikë
Greqia 20 pikë