Adriatik Balla 27.08.2015 20:40
Mundja vlon gjatë këtyre ditëve, si pasojë e një ngërçi të krijuar midis Federatës Shqiptare të Mundjes dhe Ministrisë së Arsimit e të Sportit, ku kjo e fundit ka bllokuar grantin vjetor, të nevojshëm për zhvillimin e aktiviteteve sportive të mundjes. Akuzat dhe kundërakuzat nga palët e interesuara nuk kanë munguar dhe kjo u intensifikua pas intervistës që “SOT” realizoi me mundësin e trajnerin Sahit Prizreni të botuar ditën e martë.
Por kundër deklaratave të Prizrenit që akuzoi MAS-in se ndërmerr nisma antikombëtare për sportin e mundjes, doli trajneri i Besëlidhjes, Altin Shtjefni, i cili akuzoi sportistin, njëkohësisht edhe Federatën Shqiptare të Mundjes për abuzime me fondet dhe dhënie financimi të pamerituar për Sahit Prizrenin. E ndodhur në këtë situatë, dje Federata Shqiptare e Mundjes reagoi publikisht, duke qartësuar pozicionin e saj dhe duke u dhënë në një farë mase përgjigje hamendësimeve rreth këtij problemi.
FSHM këmbëngul se gjithçka është shpenzuar sipas rregulloreve dhe statutit të federatës dhe nuk ka pasur asnjë abuzim financiar, ndërsa justifikon financimin e mëhershëm për Prizrenin, gjatë kohës kur ai përfaqësonte Shqipërinë në veprimtaritë ndërkombëtare dhe ku mbante flamurin kombëtar në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe veprimtari të ndryshme evropiane e botërore të mundjes. Më poshtë jepet reagimi i plotë i Federatës Shqiptare të Mundjes.
“Ju informojmë se FSHM nuk ka financuar as nga fondi Grant i MAS dhe as nga të ardhurat dytësore për sportistin shqiptar Sahit Prizreni, mbas dhënies së leje-kalimit nga ne për në Federatën Australiane. FSHM është audituar nga MAS më datë 06.02.2015-09.02.2015 me insistimin tonë dhe detyrimin e zbatimit të ligjit të sportit për auditimin e federative të sportit shqiptar. Ky raport ju vihet në dispozicion si nga FSHM ashtu dhe nga MAS, ku për periudhën e audituar të grantit për vitin 2014 nga datë 01.01.2014-31.12.2014 dhe ky raport nuk paraqet asnjë shkelje apo abuzim financiar nga FSHM.
Për sa i përket kampionit të mundjes, z. Sahit Prizreni, ju deklarojmë me bindje të plotë se financimi nga FSHM apo MAS ka qenë krejt modest dhe në zbatim të ligjit të sportit dhe akteve normative të Shtetit Shqiptar. Është larguar nga ne, me leje kalimi nga FSHM, me dt.25.11.2014 dhe në këtë datë janë ndërprerë marrëdhëniet financiare me z. Prizreni. Duke qenë një sportist i cili e ka shkruar emrin e tij me germa të arta në Federatën Botërore të Mundjes si medalist i vendit të tretë në Botë dhe si nënkampion i Evropës, ky është rezultati më i lartë zyrtar në sportin e mundjes shqiptare.
Një sportist i cili ka mbajtur flamurin kombëtar në Lojërat Olimpike Pekin 2008 dhe është emblemë jo vetëm e mundjes, por për sportin shqiptar në tërësi dhe nuk duhet lejuar të përbaltet nga askush. Ju sjellim në vëmendje se një sportist i këtij niveli në Evropë dhe në Botë si dhe në vendet fqinje tonat, sa është i gjithë granti i FSHM-së apo i një federate tjetër shumsportësh për një vit, i vihet në dispozicion vetëm një sportisti të këtij niveli siç është Sahit Prizreni. Prononcimet e bëra në media për gjoja abuzime të FSHM-së janë mjerane. FSHM është e gatshme të verë në dispozicion të medias dhe publikut çdo dokument apo informacion që kërkohet.”