Gjergj Vyshka 29.08.2015 17:55
Federata: “Dy mundësit Osman Hajdari dhe Klodian Bulica janë dërguar në Peskara pa marrë mendimin tonë, ndërsa prej muajsh Ministria ka ndërprerë fondet”. Federata Shqiptare e Mundjes tashmë ka nisur ankesat tek ndërkombëtarët, ndërsa për dhunimin e pavarësisë së saj akuzon jo vetëm Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), në mënyrë të veçantë presidentin e saj, Viron Bezhani, por dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Në ankesën e Federatës Shqiptare të Mundjes, e cila është shpërndarë dje për të gjitha mediet, është thënë tekstualisht që dy mundësit Osman Hajdari dhe Klodian Bulica janë caktuar për të marrë pjesë në Lojërat e Para Mesdhetare të Plazhit nga KOKSH e kjo pa dijeninë e institucionit më të lartë të sportit të tapetit. E tashmë pas kësaj ankese të Federatës Shqiptare të Mundjes me president Martin Biba dhe Sekretar të Përgjithshëm Ndriçim Spahiu lufta është e hapur në dy fronte, më së shumti me KOKSH dhe Bezhanin dhe më pas edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Dhe në gjithë këtë mesele, duke mos e lënë sportin rehat askush nuk ka mirë. Sepse mandati që mund të vij nga ndërkombëtar mund të jetë shumë më i rëndë dhe llogaritë e ngushta që mund të kenë bërë palët. Dhe zgjidhja është një, palët të ulen në të njëjtën tavolinë që të sjellë pajtimin dhe mundja të vazhdojë qetësisht rrugën e saj deri më 2019-ën, kohë kur përfundon dhe mandati i presidentit Martin Biba.