AlbanianSport.com 24/02/2024 22:35
ASNN – Federata Shqiptare e Mundjes, edhe duke shfrytëzuar Kupën e Shqipërisë për të rritur në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ka mbajtur një ceremoni të veçantë për dy kampionët e mundjes shqiptare. Aty ku u ka dhënë “Mirënjohje” Islam Dudajevit dhe Zelimkan Abakarovit. Njëri “kampion” i saposhpallur i Europës në Bukuresht, në kategorinë e peshës trupore deri në 65 kg, dhe tjetri “nënkampion” Evrope në peshën deri në 61 kg.
Naim Muja, presidenti i Federatës së Mundjes së Kosovës, dhe Ndoc Çokaj, zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Mundjes, kanë dorëzuar dhe dedikimet për Dudajevin dhe Abakarovin. Ja dhe emocionet e Kampionit të Europës për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar. “Do të doja të falënderoja presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, i cili ka besuar vazhdimisht tek unë”, – ka thënë Dudajevi, duke folur pas ceremonisë.
“Më ka motivuar dhe unë jam shumë i lumtur dhe falënderoj të gjithë shqiptarët që kanë mbështetur vazhdimisht. E do t’i bëjë përsëri të lumtur”, – ka shtuar Dudajevi. Medalje argjendi dhe për herë të dytë nënkampion Evrope, Zelimkan Abakarovi, teksa më parë ka qenë edhe “kampion” i botës dhe i treti i botës. Deri më tani jam i kënaqur me gjithçka që kam arritur t’i jap Shqipërisë dhe premtoj se do të ketë dhe suksese të tjera nga unë”, – ka thënë shkurt Abakarovi.