Gjergj Vyshka 04.05.2017 12:30
Egzon Shala, mundësi i Shqipërisë në peshën 97 kilogram në stilin e lirë, ka dështuar në Kampionatin Evropian të Të Rriturve, që është duke u zhvilluar në Novi Sad të Serbisë.
Përtej pritshmërive të drejtuesve më të lartë të Federatës Shqiptare të Mundjes, sidomos presidentin Martin Biba, Shala është eliminuar që në turin eliminator të kësaj peshe.
Është mundur 0-10 nga azerbajxhanasi Aslanbek Alborov, i cili më pas ka shkuar deri në çerekfinale. E ky ishte dështim për mundjen shqiptare, që përtej mangësive financiare dërgoi vetëm një mundës tek i cili shpresonte të merrte medaljen.
Tashmë kanë mbetur veprimtaritë e tjera ndërkombëtare të të gjitha moshave për të shpresuar për ndonjë gjë pozitive. Por, sidoqoftë, Evropiani i Novi Sadit ishte dështim i madh jo vetëm për Egzon Shalën, por në tërësi për mundjen shqiptare.