AlbanianSport.com 01.03.2016 16:15
ASNN – Largimi i Dritan Therepelit është komentuar dhe nga trajneri Ibrahim Keli, i cili në dëshpërim e sipër ka thënë për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres”: “Çdo trajner do të ndiente keqardhje për largimin e një mundësi cilësor nga ekipi. E jo vetëm kaq, por të një mundësi kampion, apo dhe talenti si Dritan Therepeli. Është një largim i padëshiruar nga ana ime.”
“Por, që të jem i çiltër, me të gjithë specialistët e këtij sporti në Berat, apo dhe sportdashësit, të cilët janë befasuar nga ky largim i Dritan Therepelit, kanë qenë shkaqet financiare ato që e kanë bërë të ikë nga ekipi, – ka vijuar trajneri. – Ai është larguar në një skuadër me pretendime si Flamurtari, ndërsa ne jemi të detyruar ta pranojmë një fakt të tillë me shumë keqardhje.”
“Për mua të gjitha kërkesat e tij financiare ishin të realizueshme, ndërsa përgjegjësi për largimin e Therepelit tek Flamurtari ka klubi ynë shumësportësh, që nuk di të vlerësojë figurat dhe sportistët e saj cilësorë, – ka theksuar Keli. – Dhe ndihem keq, sepse nuk është rasti i parë që na largohen mundës, kur vite më parë një i tillë ka qenë pjesë e ekipeve të kryeqytetit.”
“Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj suksese dhe ta përfaqësoj sa më denjësisht mundjen dhe tek Flamurtari”, – ka përfunduar trajneri i mundjes beratase, Ibrahim Keli.