Gjergj Vyshka 19.09.2016 15:15
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, e ka quajtur projektligjin e dërguar në Parlament për shtesa dhe ndryshime në Ligjin e Sportit krejtësisht anormal dhe që thyen pavarësinë e Federatës. Sipas tij shpërblimi për medaljet ndërkombëtare për sportistët elitarë duhet të parashikohet për vendin e parë në Ballkan, për 3 vendet e para në Lojërat Mesdhetare, për 5 vendet e parë në Kampionatin Evropian, 7 vendet e parë në Kampionatin Botëror dhe 8 vendet e para në Lojërat Olimpike.
“Në ligj duhet të parashikohet që Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar të ushtrojnë politika për zhvillimin e cilësisë, – ka vijuar ai. – Të vijnë “grant”et në rritje dhe të kërkohet llogari për atë që bëhet, por jo të kontrollohen. Madje të parashikohet me ligj që Televizionet Kombëtare të jenë më pranë veprimtarive tona, pa pasur ne nevojë t’i lutemi për të ardhur të na bëjnë kronikat. Të ketë bashkëpunime për cilësi më të lartë.”
“Po kështu, të ketë më shumë programe kualifikimi dhe zhvillimi, sidomos nga KOKSH, – ka theksuar kreu i organizmit që qeveris mundjen shqiptare. – I gjithë ky ligj, ndërsa KOKSH nuk arriti t’i marrë “grant”-et nën kontroll, është për t’i uzurpuar Federatat që të vijnë njerëzit e tyre dhe që më pas ta kenë më të lehtë për të mbretëruar gjatë. Por kjo nuk është normale, sikurse nuk ishte normale dhe krejtësisht gabim “statuti tip”, sepse i shkatërroi Federatat.”
“Jo vetëm kaq, por dhe Gjykata e Këshillit të Arbitrazhit të mos jetë nën vartësinë e KOKSH-it, por të jetë i pavaruar dhe funksional. Vetëm kështu është ligj funksional për nivelin e sportit shqiptar”, – përfundon Biba, që, në fakt, ka bërë të ditur edhe se është në tratativa për të marrë në vitin 2018 edhe një Kampionat Evropian apo Kampionat Botëror për Të Rinj.
“Ne kemi dy veprimtari ndërkombëtare për shkollorët në Bursa dhe për të rinjtë në Rumani dhe po ju them se shumë shpejt do të vijë një brez i talentuar mundësish. Por që të kemi cilësi duhet një ligj funksional sporti e jo kështu i përciptë”, – përfundoi kreu i FSHM-së, Martin Biba, që në fakt ka premtuar dhe një tryezë të rrumbullakët për të gjitha palët e interesuara për zhvillimin e sportit.