Gjergj Vyshka 16.10.2014 07:05
Pesha 130 kg në stilin klasik dhe ajo 57 kg në stilin e lirë kanë sjellë pështjellime. Mosmarrëveshja e gjyqtarit Kobuzi dhe Kolbucajt kthehet në tentativë për ndryshim rezultati. Besëlidhja dhe Teuta janë kampionët e mundjes shqiptare për të rritur në kampionatin që është zhvilluar dje paradite në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Por të dy këto ekipe janë shpallur kampion mes tensionesh.
Më konkretisht, një mosmarrëveshje e gjyqtarit Anastas Kobuzi me mundësin e Besëlidhjes, Kolbucaj, është kthyer në fundin e aktivitetit në një tentativë për ndryshimin e rezultatit. Në përfundimin e njërës prej ndeshjeve kualifikuese, Kolbucaj e ka ofenduar gjyqtarin e tapetit, Anastas Kobuzi. Por më pas ka kërkuar falje dhe gjërat janë sheshuar.
Dhe me idenë e ndjesës ndaj gjyqtarit, Kolbucaj ka vazhduar ndeshjet, të cilat i ka fituar 5-0 për mosparaqitje të kundërshtarit. Gjithsesi kur të gjithë janë bërë gati për të festuar titullin kampion, gjyqtarët me kërkesën e kryesisë, e cila nuk ka pranuar ndjesën që Kolbucaj ka bërë ndaj gjyqtarin Kobuzi, kanë tentuar që të bëjnë relacion, që më pas do të çonte në përjashtimin e mundësit.
Por nëse do të ndodhte kjo gjë, atëherë i binte që pikët e Besëlidhjes të uleshin dhe prej saj të përfitonte Olimpik G për të qenë kampione e Shqipërisë. Lezhjanët janë të revoltuar, ndërsa me në krye ish-anëtarin e kryesisë, Altin Shtjefnin, janë munduar të sqarohen jo vetëm me presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, por dhe me zëvendëspresidentin Ndoc Çokajn dhe anëtarin e kryesisë Besim Kuka.
Mundësit janë të gjithë tek tavolina e kryesisë, në një kohë që me kupën e kampionit kanë nisur të pozojnë të gjithë së bashku. Forcat e rendit janë munduar të mbajnë anëtarët e kryesisë, por mundësit e Besëlidhjes janë qetësuar vetëm pas Shtjefni u ka dhënë urdhër që të gjithë duhet të ulen në tapet derisa të përfundojnë ndeshjet e stilit të lirë.
Edhe pse gjyqtarët janë mbledhur mënjanë duket se nuk ka pasur nevojë për relacion, aq më tepër që Kobuzi e kishte pranuar dhe faljen e mundësit të Besëlidhjes. Dhe në fund lezhjanët, ashtu siç kishin premtuar dhe më parë, janë kampionët e Shqipërisë në stilin klasik. E mes tensioneve dhe shqetësimeve, Besëlidhja dhe Teuta janë kampionët e Shqipërisë për vitin 2014.