Gjergj Vyshka 31.01.2016 17:05
Një pjesë e mirë e asamblesë vjetore të mundjes shqiptare është karakterizuar nga debatet mes presidentit Biba dhe Altin Shtjefni. Që në momentin që lezhjani ka kërkuar sipas statutit nëse kjo është mbledhje e hapur, apo jo, ka ardhur dhe debati i parë. “Ke ardhur për të prishur mbledhjen, sepse po kthehesh në protagonist i së keqes.
Në tre asamble që kam qenë ti ke qenë protagonisti i debateve”, – ka qenë përgjigjja e deputetit Sterkaj për Altin Shtjefnin. “Vendi i asamblesë është ndryshuar pa dijenin tonë dhe materiali duhet të ishte dorëzuar 30 ditë përpara anëtarëve, sepse e ke të shkruajtur me statut, në mënyrë që të dimë të diskutojmë”, – ka pretenduar Shtjefni.
Por debati ka qenë edhe për hedhjen në motiv edhe për miratimin e raportit financiar, sikurse edhe për mandatin e klubit sportiv Korabi, që kishte caktuar tjetër njeri në mungesë të Fiqiri Ramës, sikurse nuk është pranuar edhe mandati i Shtjefnit, sepse ka ardhur me vonesë.
Më tej akoma Shtjefni ka kërkuar edhe një veprimtari në Lezhë, sikurse ka këmbëngulur për hapjen e mundjes në shkolla dhe ka sqaruar të gjithë auditorin për diplomën që ka marrë në Budapest. E në fund ka kërkuar edhe ndjesë. “Por jam kritik sepse dua të mirën e mundjes shqiptare”, – ka nënvizuar Shtjefni.