AlbanianSport.com 03/11/2021 22:55
ASNN – Mposht 2-0 Atletikon e Madridit dhe bëhet një nga 3 të kualifikuarat e para. Janë luajtur të mërkurën 8 ndeshjet e 4 grupeve të tjera të Ligës së Kampioneve dhe takimi më i zgjedhur i së mërkurës, i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar në kanalin RTSH 1 ka qenë ai i grupit B, ku Liverpuli ka pritur Atletikon e Madridit.
Dhe, sikundër kishin bërë edhe në ndeshjen e parë në Madridit, anglezët kaluan në epërsi pas 13 minutash lojë, me Diogo Zhotën. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop vijon të mos e ulë ritmin dhe do ta dyfishojë këtë epërsi në të 21-tën, me anë të Sadio Manesë. Detyra e Atletikos bëhet edhe më e vështirë 9 minuta para fundit, pasi Felipe ndëshkohet me karton të kuq dhe i lë kështu madrilenët me 10 lojtarë.
Me epërsinë dygolëshe, por edhe me epërsinë numerike të Liverpulit, do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat do të shohin skuadrën vendase të mbizotërojë në lojë dhe ta administrojë pa shumë probleme lojën, por pa gjetur dot golin tjetër. Sidoqoftë, Liverpuli mposht Atletikon e Madridit 2-0 dhe i bashkohet Bajernit të Mynihut dhe Juventusit si skuadrat e kualifikuara që tani për turin e 16-shes.