AlbanianSport.com 04/01/2021 23:10
ASNN – Largimi i tij ishte një nga më të kontestuarit nga tifozeria e bardhebluve të kryeqytetit shqiptar, për arsye se cilësohej si një futbollist që mishëronte atë çka Tirana përfaqësonte. Verën e vitit të kaluar, mbrojtësi Gentian Muça u transferua nga Tirana te Prishtina dhe, në një intervistë dhënë së fundmi për “Top Channel”, ai ka folur rreth transferimit dhe pritjes që i është bërë në kryeqytetin e Kosovës.
“Më shumë e sa lëvizja për në Kosovë, ishte ndërrimi i mjedisit pas më se 10 vjetësh, – ka rrëfyer ai. – Isha mësuar me këtë rutinën, por, sidoqoftë, klubi, shokët e skuadrës, të gjithë këtu më kanë bërë të ndihem shumë mirë. Koha e përshtatjes ka qenë shumë e shkurtër, pavarsisht se ndodhi në mes të sezonit. Në çdo kryeqytet të Evropës të kisha shkuar do të ndihej mungesa.”
“Por në Prishtinë më kanë bërë të ndihem shumë mirë dhe më kanë lehtësuar atë mërzitjen e largimit, sepse mërzitja ishte shumë e madhe, por u desh bërë për arsye profesionale”, – ka 33-vjeçari. Gentian Muça ishte kapiten i skuadrës së Tiranës para se të transferohej në “Fadil Vokrri”. Hëpërhë, Prishtina renditet e 3-ta në nivelin elitar të kampionatit të Kosovës, në Superligë, me 32 pikë.