AlbanianSport.com 13/06/2020 14:40
ASNN – Edicioni i dytë i Rellit të Dakarit në Arabinë Saudite, i planifikuar të zhvillohet nga 3-15 janarin e vitit të ardhshëm, do të fillojë dhe përfundojë në Xhed’dah pasi të kalojë nëpër shkretëtirë dhe përgjatë detit Rea. Kështu kanë deklaruar organizatorët e kësaj veprimtarie. Versioni i vitit 2021 i maratonës 12-ditore do t’i dërgojë pjesëmarrësit në një territor të paeksploruar, në të gjitha etapat e saj.
Konkurrentët do të nisen nga Xhed’dah drejt lindjes dhe më pas do të shkojnë në veri, me një ditë pushimi në Ha’il më 9 janar, përpara se të gjurmojnë përsëri vijën bregdetare të Detit të Kuq deri në fund. “Ne kemi shfrytëzuar maksimumin që ofron Arabia Saudite”, – i tha Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) drejtori i garës David Kastera.
“Vendi është aq i madh sa arritëm të përdorim vetëm 50-100 km të kursit të këtij viti, – ka vijuar ai. – Gjatë secilës fazë ne gjejmë nga pak të gjithë përbërësit. Ne u përpoqëm të ruajmë pak dunat, seksionet teknike dhe pjesët e shpejta për çdo ditë të garës.” Pas vdekjes së dy motoçiklistëve, Paulo Gonçalves të Portugalisë dhe holandezit Eduin Straver, në edicionin e këtij viti, masa të rrepta sigurie do të aplikohen në 2021-shin.
Garuesit do të detyrohen të veshin jelekë me ajër, ndërsa paralajmërimet me megafon do të njoftojnë konkurrentët për rreziqet e mundshme me “zona të ngadalta” të përcaktuara që kufizojnë shpejtësinë në 90 km/orë në sektorë veçanërisht të ndërlikuar. Të gjithë garuesit do të kenë fletëpalosjet e itinerareve të rrugëve nga do të kalojnë si dhe do të shohin edhe versionet dixhitale në kategori të caktuara.
Kastera tha që epidemia e virusit korona i kishte detyruar organizatorët të rishikojnë planet e tyre për garën e vitit të ardhshëm.