AlbanianSport.com 17/01/2019 19:20
ASNN – Naser al-Atijah nga Katari është shumë pranë fitimit të titullit të 3-të të garës së Dakarit. Kjo sepse shpresat e Stefan Peterhanselit, për një triumf të 14-të në garën më të ashpër të botës u shuan në mënyrë të dhimbshme. Al-Atijah, me “Toyota”, ka fituar etapën e 9-të të Dakarit dhe shkon më i sigurt në 112 km e fundit në Lima me një epërsi të përgjithshme prej 51 minutash e 27 sekondash ndaj Nani Romës, i cili e mbylli i dyti këtë etapë.
“Deri tani gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe nesër ne duhet vetëm të bëjmë një mbyllje të mirë në Lima, – tha al-Atijah, pas fitores së 34-të në karrierën e tij në Dakar. – Kjo garë është me të vërtetë e vështirë, çdo ditë ne punojmë shumë që të jemi të shpejtë dhe të mos bëjmë gabime, makina është e mirë, kemi ndjekur strategjinë tonë që nga fillimi, dhe për këtë jemi mjaft të lumtur.”
Ndërsa kampioni i vitit 2011 dhe 2015, Al-Atijah po konsolidonte dominimin e tij, 13-herë fituesi i Dakarit, Peterhansel u detyrua të largohej nga gara, pas vetëm 26 kilometrave të etapës së 9-të, të gjatë 313 km, pas një uljeje të keqe, gjatë të cilës u dëmtua në krah bashkëshoferi i tij, David Kastera. Ky i fundit kishte dhimbje të forta dhe u transportua në spitalin e Limas.
Peterhanseli, 53 vjeç, kishte fituar dy etapa në garën e këtij viti, por ishte disi larg ritmit të vendosur nga Al-Atijah dhe ndodhet në vendin e 4-t. Edhe 9 herë “kampioni i botës” në relli, Sebastien Lëb, me “Peugeot” private, gjithashtu rrëshqiti poshtë në renditje, pasi humbi gati 40 minuta në dunat e rërës. Në garën e motorçiklizmit, Tobi i Australisë, me “KTM”, ka marrë një epërsi prej 62 sekondash ndaj Pablo Kintanijës me “Honda”, megjithë dhimbjeve të forta që ndjente në duar.
“E di që nesër do të jetë shumë e vështirë, por unë do ta jap më të mirën time për t’u ngjitur në podium”, – tha ai.