AlbanianSport.com 14.08.2016 15:30
ASNN – Ka rezultuar një “vals italian” gara e Çmimit të Madh të Austrisë, pasi 3 nga 4 pilotët të mbërritën të parët në finishin ishin nga Gadishulli i Apenineve. Janone fitoi derbin e “Dukatit” me Doviciozon, ndërsa i vetmi që prishin podiumin gjithë-italian, ishte Horhe Lorenco, i cili fitoi derbin e “Jahamas” me Valentino Rosin.
E ka nisur garën nga vendi i parë dhe, përtej një disa shkëmbimesh me shokun e tij të skuadrës, Andrea Janone ka fituar derbin e “Dukatit” me Andrea Doviciozon, duke marrë edhe shkallën e parë të podiumit të nderit në Çmimin e Madh të Austrisë në Moto GP.
Gara e 10-të e këtij sezoni, që, sikundër çdo veprimtari madhore do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit shqiptar, ka folur thuajse e gjitha italisht në finishin e saj, pasi 3 nga 4 pilotët të mbërritën të parët ishin nga Gadishulli i Apenineve.
Në fakt, ka qenë një garë e luftuar fort nga 6 pilotë, që do të shkëputen nga të tjerët pas xhirove të para e më konkretisht ishin dyshja e “Dukati”-t, Janone dhe Doviciozo, nga ajo e “Jamaha”-s, Lorenco dhe Rosi, si dhe Mark Markez i “Hondës” dhe Maverik Vinjales i “Suzuki”-t.
Gradualisht, këta të fundit mbetën prapa dhe, në fund, Janone bën një garë të shkëlqyer, duke mos i hapur rrugë Doviciozos, që detyrohet të kënaqet me vendin e dytë. E njëjta tablo ishte edhe ajo që u shpalos me dy pilotët e “Jamaha”-s, ku Horhe Lorencos nuk ia hapi rrugën Valentino Rosit, duke e lënë jashtë podiumit.