AlbanianSport.com 10/07/2019 23:55
ASNN – Valentino Rosi nuk po kalon një moment të mirë në Botërorin e Moto GP-së. Ai ndodhet shumë larg kryesuesit të renditjes së pilotëve në këtë sezon dhe kampionit në fuqi, Mark Markezit. I mbiquajturi “Doktori” ka fituar deri tani 9 tituj botërorë, por, duke parë moshën e tij, tashmë 40 vjeç, duket se e ka të pamundur të arrijë numrin 10. Në fakt, Valentino Rosi përfaqëson pjesën më të mirë të motoçiklizmit italian në 30-40 vitet e fundit.
Por pengu i pezarezit është një numër që mund të kthehet në makth: 10. Kjo sepse doktori është ndalur në kuotën e 9 titujve të fituar në Moto GP. Titulli i 10-të nuk ndryshon asnjë presje në fakt, në karrierën e tij epike, por e sigurt është që mbetet një nga objektivat e tij. Por problem mbetet koha që po kalon dhe rastet e humbura. Mbi të gjitha për Rosin, që po kalon një periudhë shumë delikate. 40 vjeç, të jetë në pistë dhe të luftojë me djaloshë, që janë sa gjysma e moshës së tij, është një sukses më vete.
Por, për një si ai, të mos fitosh një Çmim të Madh prej gati dy sezonesh, e që ka fituar titullin e fundit në vitin e largët 2009, situata bëhet e rëndë. Më e keqja është se tani po mendon për 2020, megjithë sezonin në vijim që është ende në gjysmën e tij. Markezi është shumë larg për të menduar mundësinë e një kalimi të tij në renditje. Përkundrazi, duket sikur Vale po mendon për të ardhmen e tij, edhe pse ka ende një vit kontratë me “Jamaha”-n.
Nuk është çështje rekordesh, pasi Agostini dhe Nieto mbeten të pakapshëm me 15 e 13 titujt e tyre të fituar. Por ekziston rreziku që Markezi, me 7 tituj të fituar e të 8-tin thuajse të fituar, që mund ta ulë nga froni Rosin si pilotin e 3-të me më shumë tituj të fituar. E kjo gjë sigurisht “Doktorit” nuk do t’i pëlqente.