AlbanianSport.com 27/09/2018 17:15
ASNN – Valentino Rosi ka deklaruar se ai ka provuar një version të motorit të “Jamaha”-s për vitin që vjen dhe është zhgënjyer nga provat. Piloti italian përjetoi një tjetër garë të dobët në Çmimin e Madh të Spanjës në në Aragon, që për më tepër shënoi edhe vazhdën më të gjatë të humbjeve të “Jamaha”-s në historinë e saj të MotoGP.
Duke qenë se kishte theksuar më parë se karakteri i motorit M1 mund të kontribuonte në problemet e vazhdueshme të “Jamaha”-s, ai tha se ishte i zhgënjyer kur kishte zbuluar se një version i hershëm i motorit të vitit të ardhshëm nuk ishte shumë ndryshe nga ky aktuali.
“Po, e kam provuar versionin e parë të motorit të 2019-ës, – tha Rosi. – Por unë mendoj dhe shpresoj se ky nuk është versioni përfundimtar, por është vetëm një modifikim i vogël, sepse është shumë i ngjashëm me këtë që kam tani. Unë shpresoj që ata vazhdojnë të punojnë, sepse motori për mua është problemi ynë më i madh.”
“Ata duhet ta bëjnë atë më mirë”, – shtoi Rosi, i cili sqaroi gjithashtu se ai nuk kishte provuar asgjë tjetër përveç motorit për 2019, duke prishur kështu një prirje të viteve të fundit: “Një gjë shqetësuese është se zakonisht testimi pas garës së Bërnos në Republikën Çeke ishte momenti në të cilin ne provonim motorin e vitit të ardhshëm.”
“Por në dy vitet e fundit kjo nuk ka ndodhur, – vijoi veterani italian. – Ku është motori i vitit të ardhshëm? Për fat të keq në testim nuk kemi provuar shumë gjëra për vitin e ardhshëm”. Megjithatë, kur u pyet për atë që donte nga “Jamaha” e vitit të ardhshëm, Rosi këmbënguli se nuk i takon atij të udhëzojë inxhinierët, por thjesht të nxjerrë në pah problemet me motorin.