AlbanianSport.com 22/05/2020 21:40
ASNN – Nëse ka një rast ku thënia “Mosha është vetëm një statistikë” ka me të vërtetë vlerë, ky është padyshim një prej tyre. Valentino Rosi është një legjendë e Moto GP-së, teksa 41-vjeçari italian është shpallur plot 9 herë “kampion bote” dhe ka miliona admirues anembanë vetes. Dhe i mbiquajtur “Doktori” dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e pistave, por nuk ka marrë akoma një vendim për të ardhmen.
Nëse kjo ndodh, ai nuk do të jetë pjesë e “Jamaha”-s zyrtare, pasi skuadra japoneze ka vendosur t’i besojë Maverik Vinjalesit dhe Fabio Kuartararos për sezonin e ardhshëm. Rosi kërkohet nga “Petronas”-i, skuadra kliente e “Jamaha”-s dhe, lidhur me këtë çështje dhe të ardhmes së tij, ai ka folur në një intervistë dhënë për faqen zyrtare të Moto GP-së në Internet.
“Plani im ishte shumë i qartë: doja të prisja verën dhe të shihja nëse isha më konkurruese se vitin e kaluar, – ka thënë veterani i botës së motorëve. – Kjo është thelbësore për mua, dua të vazhdoj të garoj, por vetëm nëse jam ende i fortë dhe i shpejtë. Për fat të keq, duke marrë parasysh situatën aktuale, duket se duhet të marr një vendim pa e provuar veten në pistë.”
“Kështu është më e vështirë, duhet të mendohem mirë dhe të shoh nëse e kam forcën dhe motivimin e duhur për të vazhduar, – ka vijuar italiani. – “Petronas”-i? Kam një mundësi të mirë me ta, janë një skuadër e re dhe e nivelit të lartë. I njoh djemtë që punojnë aty. Është një shans i mirë për mua, por nuk dua të shkoj aty me idenë sa për të zhvilluar sezonin e fundit dhe për t’u larguar më pas.”
“Nëse do të vijoj të jem pjesë e garave, do të jap 100% nga vetja, – ka vijuar piloti që padyshim ka bërë epokë në historinë e Moto GP-së. – Dua të luftoj për ngjitjen në podium. Të shohim se çfarë do të ndodhë.”