AlbanianSport.com 18/11/2018 16:05
ASNN – Një sezon i jashtëzakonshëm që nuk kishte si të mbyllej ndryshe. Kështu ka ndodhur të dielën me Çmimin e Madh të Valencias, që ka ulur siparin e këtij sezoni të Moto GP-së, duke kurorëzuar Andre Doviciozon si fitues të garës. Gjithçka tjetër që i përket titullit të kampionit të botës ishte zgjidhur më herët, me Mark Markezin që u kurorëzua për herë të 5-të “kampion”.
Ka qenë një finale dramatike ajo e këtij sezoni të nivelit më të lartë të Kampionatit Botëror të Motçiklizmit, Moto GP, pasi gara e fundit e saj, e cila rezultoi një maratonë e vërtetë dhe i pari në finish ka mbërritur piloti i “Dukati”-t, ndërsa podiumin e plotësoi Aleks Rinsi dhe Pol Espargaro. Në fakt, ishte një garë e çuditshme kjo e së dielës në pistën e Valencias, pasi u nda në dy pjesë, për shkak të rreshjeve të dendura të shiut.
14 xhirot e para ishin një ferr i vërtetë, pasi pista e rrëshkitshme bëri që të rrëzoheshin me radhë Aleiks Espargaro, i cili sidoqoftë u kthye praë në garë, e më pas Xhek Milleri, e pas tij kampioni i botës, Mark Markez, që e mbylli garën aty. Pas dy xhirove të para të rrëmujshme, gjërat u qetësuan, por në xhiron e 13-të, Maverik Vinjales pati radhën për të dalë nga pista, i ndjekur nga italiani Franko Morbideli dhe, pas tij, edhe Bredli Smithi.
Sidoqoftë, gara u pezullua në xhiron e 14-të dhe, duke qenë nuk ishte përshkuar 3/4-tat e garës, ajo rinisi në orën 15:00, me pilotët në të njëjtat pozicione që mbyllën xhiron e 13-të. Nisja e kësaj gare të dytë të këtij Çmimi i pa 16 pilotët e mbetur më të kujdesshëm, por pas 3 xhirosh, shiu filloi sërish dhe bëri që ritmi i garës të ulej. Dhe i pari në finish ka mbërritur Andre Doviciozo, i cili e fiton garën.
Ndërsa gjithçka tjetër që i përket titullit të kampionit të botës ishte zgjidhur më herët, me Mark Markezin që u kurorëzua për herë të 5-të “kampion”. I gjithë ky sezon i jashtëzakonshëm i Moto GP-së u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.