AlbanianSport.com 04/01/2018 09:40
ASNN – Në atë që ishte një garë e jashtëzakonshme nga fillimi deri në fund, Mark Markezi triumfoi në duelin me Valentino Rosin në pistën e Sëpangut të dielën, duke korrur fitoren e 70-të në karrierë. Emocionet e Çmimit të Madh të Malajzisë u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Mark Markezi i “Repsol Hondës” korri fitoren e tij të 70-të në karrierë, duke triumfuar të dielën në garën e parafundit të sezonit, në Çmimin e Madh të Malajzisë në Moto GP.
Kampioni i sapokurorëzuar i botës ishte përfshirë në një betejë të ethshme me 9 herë “kampionin e botës”, Valentino Rosin, por ky i fundit dë të rrëzohej me “Jamahan” e tij, duke i dhënë mundësi Aleks Rinsit të Suzukit dhe Johan Zarkosë së “Jamahas” kliente që plotësojnë podiumin në pistën e Sëpangut. Që nga nisja e garës, ishte Rosi që u nis më mirë nga vendi i dytë, duke marrë kryesimin, ndërsa nga prapa ishte Markezi që erdhi dalëngadalë drejt kreut.
Aty ku Rosi dhe Zarko po përpiqeshin të shkëputeshin, por spanjolli i “Hondës” vazhdoi parakalimin e tij dhe, pasi la prapa Millerin, e hodhi vështrimin drejt Zarkos, dhe, brenda 10 xhirove të para, Markezi ishte prapa Rosit, që sidoqoftë kishte një ritëm të jashtëzakonshëm. Kur kishin mbetur edhe 8 xhiro nga fundi, Rosi po regjistronte kohë gjithnjë e më të shpejta, duke e mbajtur hendekun midis tij dhe Markezit në mbi 1 sekondë, ndërsa Zarkoja mbeti 3 sekonda pas italianit.
Markezi vazhdoi të ushtronte presion, duke rrezikuar madje të rrëshqiste në një moment të caktuar. 5 xhiro nga fundi, hendeku midis dy rivalëve ishte vetëm 7 të dhjetat e sekondës, por një xhiro më pas, fati i keq e goditi veteranit italian, që po i drejtohej të parë fitores pas 26 garash, por humbi kontrollin e motorit dhe, bashkë me të, i dhuroi fitoren Markezit, që vijoi të mbërrinte i pashqetësuar në finish. Dhjetëshen e të parëve në Malajzi e plotësuan Maverik Vinjales, Dani Pedroza, Andrea Doviciozo, Alvaro Bautista, Xhek Miller, Danilo Petruçi dhe vendasi Hafiz Shahrin.