AlbanianSport.com 14/01/2021 19:25
ASNN – Ish-piloti i Moto GP-së, Loris Rexhiani, nuk beson se Mark Markezi do të rikthehet sërish po aq i fortë në pistë, ndërsa thekson se dëmtimi i pilotit spanjoll është punë fati. Ish-piloti i “Apriljas” kujton se, ashtu si ai e pengoi Rosin të fitonte botërorin në 2015-ën, ashtu edhe Markez u dëmtua në 2020-ën, kur duhej të fitonte botërorin e 9-të dhe të barazohej me Rosin. “Në 2015-ën, Mark Márkezi vendosi që Valentino Rosi të mos fitonte Botësrorin dhe arriti ta bënte realitet një gjë të tillë, duke e rrëzuar italianin. Në vitin 2020, ishte spanjolli që duhej të fitonte titullin që do ta çonte drejt barazimit të llogarive me Valentinon. Duket si një paracaktim hyjnor ky.”
Këto janë fjalët e publikuara nga Loris Rexhiani në profilin e tij personal në rrjetin social “Facebook”, më 11 janar 2021, postim të cilin ai më vonë e fshiu. Ky tekst e kishte zanafillën me dëmtimin e rëndë të pësuar nga Mark Márkezi, që e detyroi 8 herë kampionin e botës të bëjë 3 operacione dhe kjo gjë ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP-së. Polemikat në rrjetet sociale midis tifozëve të nr. 46 dhe nr. 93 kanë arritur në një pikë të tillë që Rexhiani, ish-pilot në Moto GP, të japë shpjegime për atë që ka shkruar. Ai ka siguruar që nuk dëshironte të lëndonte ose ofendonte askënd.
Megjithatë, ai këmbëngul se beson te drejtësia hyjnore. “Në retrospektivë, kuptova se do të kishte qenë më mirë ta mbaja për vete, – ka sqaruar 61-vjeçari italian. – Ishte një mënyrë të foluri, për të dhënë konceptin se “çfarë të korrësh, do të mbjellësh”. Nuk doja të lëndoja askënd ose të ofendoja dikë. Në të njëjtin vit që Márkezi duhet të kishte fituar titullin e tij të nëntë dhe të barazohej me Valentinon, ai u dëmtua. Mund të jetë një rastësi e thjeshtë, por unë jam një nga ata që besoj se ajo që bën ti, për të mirë ose për të keq, ashtu do të të kthehet tek ti.” Rexhiani ka nënvizuar se Marku nuk do të dominojë kurrë më në kampionat me motorin “RC213V” si në të kaluarën
“Unë mendoj se ai kurrë nuk do të jetë në gjendje të kthehet si më parë. Një dëmtim që e ka lënë thuajse një vit pa hipur në motor, vështirë se mund ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme”, – ka përfunduar ish-piloti i “Apriljas” në Moto GP, Loris Rexhiani.