AlbanianSport.com 13/08/2021 17:30
ASNN – “Jamaha” pezullon Vinjalesin, skuadra japoneze akuzon spanjollin se e ka dëmtuar qëllimisht motorin në Shpilberg. Maverik Vinjales nuk do të garojë në Çmimin e Madh të Austrisë në MotoGP, të programuar për këtë fundjavë. Madje mund të thuhet se sezoni i tij me “Jamaha”-n ka përfunduar. Skuadra nga Iuata, ka vendosur ta pezullojë pilotin, sepse ka zbuluar se në garën e zhvilluar në Shpilberg, piloti spanjoll me veprimet e tij ka dëmtuar qëllimisht motorin e tij, të mbiquajtur “YZR-M1”.
Me një komunikatë zyrtare, “Jamaha” ka shpjeguar se “pezullimi i Vinjalesit vjen pas një veprimi të parregullt e të pashpjegueshëm me motorin e tij, të bërë nga ai gjatë garës së fundjavës së kaluar. Vendimi vjen pas analizave të thella të telemetrisë dhe të dhënave gjatë ditëve të fundit”. Konkluzioni i skuadrës japoneze është se “veprimet e pilotit kanë shkaktuar dëme të mëdha në motor, gjë që mund të kishte rrezikuar seriozisht vetë Vinjalesin, por dhe pilotët e tjerë në garë”. Spanjolli nuk do të zëvendësohet nga Yamaha në garën e Austrisë.
Ndërsa për vazhdimësinë, vendimi do të merret nga skuadra japoneze, pas analizave më të hollësishme të kësaj situate dhe pas diskutimeve me vetë pilotin spanjoll. Në Çmimin e Madh të Shtajermarkut, pak ditë më parë, Vinjalesi ishte viktimë e problemeve teknike të paspecifikuara në motorin e tij, gjatë nisjes së dytë të garës, që i kushtëzoi seriozisht gjithë garimin. Një lajm tronditës ky për skuadrën japoneze, që kulmon thuajse me largimin e pilotit spanjoll nga “Jamaha”, para përfundimit të kampionatit.
Në fakt, sezonin e ardhshëm, Maverik Vinalesi do të shkojë te skuadra e “Aprilia”-s, por rrugët midis tij dhe “Jamaha”-s duket se do të ndahen më herët.