AlbanianSport.com 24/01/2019 09:35
ASNN – “Honda” prezanton motorin e ri, Markez: Të mos dalësh “kampion” me këtë motor është dështim. Skuadra japoneze e Moto GP-së, “Honda”, prezantoi motorin e ri për garat e sezonit që pritet të fillojë në pranverë. Kemi të bëjmë me ndryshime të vogla, por domethënëse, ndërsa nuk munguan në Madrid, ku u bë prezantimi i motorit të ri, edhe pilotët Mark Markez dhe Horhe Lorenzo.
“Honda” ka ambicie titulli edhe këtë sezon dhe prezantimi shkonte në unison me madhështinë e motorit dhe të pilotëve. “Është një privilegj i madh të jem pjesë e kësaj skuadre, – tha para të pranishmëve kampioni i edicionit të kaluar, Mark Markez. – marrëdhënia që kam me këtë motor është e jashtëzakonshme dhe asnjëherë nuk e kam menduar largimin nga kjo skuadër.”
“Me “Hondën” ke vazhdimisht shanse për titull dhe nëse nuk ia del do të thotë se ke dështuar”, – ka vijuar spanjolli 5 herë kampioni i botës. Kurse bashkëatdhetari dhe shoku i tij i skuadrës, Horhe Lorenzo. theksoi se të gjithë pilotët në garat me motorë do të dëshironin një ditë të hipnin pikërisht mbi këtë motor, sepse ai të jep titullin “kampion”.
“Pothuajse të gjithë pilotët ëndërrojnë të ngasin këtë motor, – theksoi ndër të tjera Horhe Lorenzo, një nga pilotët e spikatur në garat e Moto GP-së. – Sa më takon mua, premtoj të bëj maksimumin në pistë që t’ia shpërblej skuadrës besimin që më ka dhënë. Tani unë ndihem gati për garën e parë dhe me motorin “Honda” suksesi është gjithmonë më pranë dhe i garantuar.”