AlbanianSport.com 22/05/2019 21:05
ASNN – Vëllai i vogël i kampionit spanjolli të botës, drejt nivelit më të lartë vitin e ardhshëm. Niveli më i lartë i Botërorit të Motoçiklizmit, Moto Xhi-Pi, ka patur shpesh duele familjare përgjatë ekzistencës së tij, teksa vëllezër të ndryshëm janë rreshtuar në pistë krah njëri-tjetrit. Por 2020 pritet të sjellë një tjetër dyshe vëllezërish dhe një dyshe aspak të zakonshme, pasi bëhet fjalë për kampionin e botës, Mark Markez dhe vëllanë e tij të vogël, Aleksin.
Pas fitores që Aleks Markezi arriti në fundjavë në Francë në garën e nivelit të dytë të Botërorit të Motoçiklizmit, që njihet si Moto 2, nisën të shtoheshin zërat se Emilio Alzamora, agjenti vellezërve Aleks dhe Mark Markez, dhe skuadra e “Pramak”-ut ishin në bisedime për një kalim të mundshëm të vëllait më të vogël, në nivelin më të lartë, në Moto GP, në vitin 2020. I cituar nga mediat ndërkombëtare, Drejtori i skuadrës së “Pramak”-ut, Françesko Guidoti, ka pohuar se ka bisedime, por ka theksuar se ky është një proces i natyrshëm në këtë periudhë të vitit.
Sepse shumë pilotë të Moto 2 shqyrtojnë mundësitë e kalimit në Moto GP sezonin e ardhshëm. “Po, ne jemi takuar me Alzamorën, për të parë nëse kishte ndonjë mundësi që Aleksi të vinte këtu, -shtoi Guidoti. – Xhek Milleri nuk ka kontratë për vitin e ardhshëm dhe duhet të shqyrtojmë mundësitë e tjera nëse ai vendos të shkojë tek skuadra zyrtare apo ka kërkesa që ne nuk ia plotësojmë dot.” Ndërkaq, vetë Markezi i vogël e pohoi gjithashtu se kjo është një situatë normale, pasi të gjithë duan të shkojnë në Moto GP.
Por ai theksoi se ia ka lënë çështjen në dorë agjentit të tij. Megjithatë, çështja është nëse Markezi e shikon veten në një “Dukati” dhe a është ai gati të bëjë hapin e madh. “Pse jo, – thotë 23-vjeçari. – Unë kam thënë që nuk e kam bërë atë hap, sepse nuk ndjehesha ende i përgatitur, por këtë vit ndjehem më i përgatitur dhe, nëse do të më paraqitet mundësia, do ta rrëmbej atë.”
Niveli më i lartë i Botërorit të Motoçiklizmit, Moto GP, ka patur shpesh duele familjare përgjatë ekzistencës së tij, teksa vëllezër të ndryshëm janë rreshtuar në pistë krah njëri-tjetrit. Por 2020 pritet të sjellë një tjetër dyshe vëllezërish dhe një dyshe aspak të zakonshme, pasi bëhet fjalë për kampionin e botës, Mark Markez dhe vëllanë e tij të vogël, Aleksin. Një duel që padyshim premton spektakël.