AlbanianSport.com 02.04.2016 20:50
ASNN – Mark Markez do të niset i pari në garën e Çmimit të Madh të Argjentinës, të vlefshme për Botërorin e Motorëve. Piloti spanjoll i “Honda”-s ka dhënë kohën më të shpejtë në sesionin përfundimtar të provave zyrtare, duke e përshkuar pistën për 1 minutë, 39 sekonda e 411 të mijtat.
Pas tij u renditën dy pilotët e “Jamaha”-s, Valentino Rosi dhe Horge Lorenco. Një pistë e bukur kjo në Motul por tepër e rrezikshme për pilotët. Kjo u vërtetua edhe nga rrëzimet e shpeshta gjatë sesioneve të provave kualifikuese. Doviciozo, Lorenco, Markez e të tjerë janë rrëzuar sidomos në kthesën e parë të pistës.
Edhe gjatë provave të lira, një ditë më parë ata janë ankuar se pista mbart papastërti, të cilat ndikojnë te gomat. Sipas parashikimeve të motit, gara e së dielës pritet të zhvillohet me reshje shiu, gjë që e bën të paparashikueshme përfundimin e saj. Sidoqoftë, spektakli që do të dhurojë treshja e vijës së parë të nisjes, Markez, Rosi e Lorenco është e garantuar.
Sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe Botërori i Motorëve (Moto GP), do të sillet për sportdashësit, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të jetë çdo fundjavë me emocionet e garës më drithëruese dhe më zbavitëse mbi dy rrota në planet.