AlbanianSport.com 22/09/2018 18:55
ASNN – Fitorja që e çon drejt titullit kampion. Kështu mund të përkufizohet garimi i Mark Markezit në Çmimin e Madh të Spanjës në Aragon. Piloti spanjoll i “Hondës” ka mundur të fitojë në pistën e “MotorLand Aragon”, pas një beteje të zjarrtë dhe intensive me Andrea Doviciozon. Kjo fitore e sjell Markez më pranë fitimit të një tjetër titulli “kampion” bote në Moto GP.
Mark Markez fiton Çmimin e Madh të Spanjës Aragon dhe e thellon diferencën me kundërshtarët e tjerë në kryesimin e Botërorit të MotoGP. Spanjolli ka triumfuar në shtëpinë e para publikut spanjoll, në përfundim të një dueli drithërues me “Dukatin” e Doviciozos. Në vendin e tretë u rendit Ianone. Pas 3 garave jo dhe aq të suksesshme, numri 93 rikthehet dhe ua bën të qartë të gjithëve se ai është kampioni.
Duke triumfuar për të 5-ën herë në karrierë në këtë pistë, e mbi të gjitha duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit botëror. Doviciozo ka provuar disa herë t’i vërë “shkopinj nën rrota”, por këtë radhë pa patur në krah ndihmën e shokut të tij të skuadrës, Horhe Lorenco. Ky i fundit nuk ka patur fat në këtë garë, teksa që në nisje të saj, është rrëzuar.
Lorenco gabon në trajektoren e kthesës së parë, duke bërë që të fluturojë nga motori i tij dhe të përfundojë në pistë. Gara mbyllet për të vetëm pak sekonda nga nisja dhe del nga pista me barrelë. Fatmirësisht, për Lorencon, ka vetëm një dëmtim të gishtit të madh në këmbën e djathtë. Komandën e garës e merr italiani Doviciozo, i ndjekur nga Markez.
10 xhiro nga përfundimi, Markez arrin të parakalojë Doviciozon pikërisht në kthesën e 12-të. Vetëm një xhiro e gjysmë zgjat kryesimi i Markezit, sepse parakalohet sërish nga Doviciozo. Deri në fund të garës, spektakli ndez tifozët e pranishëm. Dyluftime midis dy pilotëve kur herë njëri herë tjetri parakalon për të marrë kryesimin. 5 xhiro para përfundimit ka edhe një betejë treshe midis Janones, Markezit dhe Doviciozos. Eshtë ky i fundit që merr sërish kryesimin.
Por kur duhen edhe 3 xhiro deri në përfundim, Markez parakalon Doviciozon dhe e ruan kryesimin deri në fund. Kjo është hera e tretë radhazi për Markezin që fiton në Aragon. Tashmë piloti spanjoll i “Hondës” kryeson renditjen për pilotë me 246 pikë, me 6 fitore në këtë sezon, i ndjekur nga Andrea Doviciozo me Dukati, në kuotën e 174 pikëve dhe në vendin e tretë Valentino Rosi me “Jamaha”, me 159 pikë.