AlbanianSport.com 26.08.2017 21:05
ASNN – Do të jetë Mark Markez ai që do të niset i pari të dielën në garën e Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe në Moto GP, pasi spanjolli ka fituar betejën me rivalin italian, Valentino Rosin, por edhe me vendasin Kraçlou, që plotëson 3-shen e parë. Emocionet e këtyre provave zyrtare, sikundër edhe gara e nesërme, po përcillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Niveli më i lartë i Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, ka zhvilluar të shtunën provat zyrtare të Çmimit të Madh të Britanisë së Madhe, që është edhe gara e 12-të e këtij sezoni. Do të jetë Mark Markez ai që do të niset i pari të dielën në garën e së dielës, pasi spanjolli ka fituar betejën me rivalin italian, Valentino Rosin, por edhe me vendasin Kal Kraçlou, që plotëson 3-shen e parëve.
Markez, i cili e regjistroi në xhiron e tij të 5-të kohën 1 minutë, 59 sekonda e 941 të mijtat, e la prapa vetëm 84 të mijëtat Rosin, ndërsa britaniku ishte 165 të mijëtat më i ngadaltë. Radhën e dytë të nisjes do ta plotësojë Maverik Vinjalesi, Horhe Lorenco dhe Andrea Doviciozo, ndërsa Dani Pedroza është detyruar të niset nga vendi i parë në radhën e 3-të, ku në krah do të ketë Zarkon dhe Aleks Espargaronë.
Kur kanë mbetur edhe 7 gara deri në përfundim të këtij sezoni, Mark Markez i “Hondë”-s kryeson renditjen e përgjithshme të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, me 174 pikë, i ndjekur nga Andrea Doviciozo i “Dukati”-t, me 158 pikë, Maverik Vinjales i “Jamaha”-s, me 150 pikë, Valentinon Rosi po i “Jamaha”-s, me 141 pikë dhe Dani Pedroza i “Hondë”-s, me 139 pikë.