ASNN – Markez vjen në Aragon me ambicie: “E di që nuk jam si më parë, por synoj fitoren këtu”. Statistikisht ka gjithmonë cirkuite që kanë protagonistë të mëdhenj. Në rastin e Mark Márkezit, ai ka 3 piste të preferuar, ku veçon Saksenringun në Gjermani, Ostinin në Teksas dhe “MotorLand”-in në Aragon. Në këto pista, piloti spanjoll ka fituar gjithnjë me “Honda”-n, çka e bën atë një favorit të padiskutueshëm.
Deri në garën në Gjermani, pozicioni më i mirë i 8-herë “kampionit të botës” ishte i 9-ti dhe përkundër kësaj, ai ishte në gjendje të imponohej pa vështirësi të mëdha ndaj secilit prej rivalëve në pistë. Márkezi ka mundësinë të marrë një tjetër rezultat të shkëlqyeshëm në Aragon, që është shumë i nevojshëm, veçanërisht në aspektin moral, si për të, ashtu edhe për ekipin e “Honda”-s.
Sepse tashmë është e qartë se ky nuk do të jetë viti i tij, por vazhdimësia e sjelljes së rezultateve dhe pikëve në garazhin e “HRC”-së (Honda Racing Corporation) vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm, si në nivelin personal, ashtu edhe në atë të skuadrës. Shifrat e favorizojnë atë pasi ai ka humbur vetëm dy gara nga 7 gjithsej që ka zhvilluar në pistën e Aragonës në kategorinë më të lartë të Moto GP-së.
Pa marrë parasysh këtu mungesën e tij në vitin 2020. Sidoqoftë, besimi dhe siguria nuk janë të njëjta me ato që e shoqëronin atëherë. “Aragona është gjithmonë një pistë, ku më pëlqen gara dhe ne kemi pasur rezultate të mira atje më parë, – thotë Marku para se të shkojë në pistën ku ka triumfuar më shumë se çdo pilot tjetër. – Por ne nuk mund t’i besojmë asaj që kemi bërë në të kaluarën.”
“Në 2021-shin jemi në një situatë tjetër”, – shton ai. Të paktën këto të dhëna i lejojnë atij të “përballojë fundjavën në mënyrën më të mirë të mundshme”, por para së gjithash, do të jetë e nevojshme të kontrollojë se cili është niveli i rivalëve. Piloti i “Honda”-s është i vetëdijshëm për kufizimet e tij, por vazhdon të mbajë të paprekur ambicien e tij.