AlbanianSport.com 02/10/2021 17:55
ASNN – Mbizotërojnë në provat e lira të Çmimit të Madh të SHBA-së, provat zyrtare, sonte në RTSH Sport. Janë zhvilluar të premten dy seancat e para të provave të lira të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Moto GP, me Mark Markezin dhe Xhek Millerin që i ndanë vetëm 15 mijëtat e sekondës nga njëra-tjetri. Ndërsa provave zyrtare zhvillohen sonte e do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, duke nisur nga ora 20:30.
Dy të parët në pistë të lagur, dy të parët në pistë të thatë. “Honda” dhe “Dukati” mbizëtoruan 10-shen e të parëve në dy seancat e para të provave të lira të Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me Mark Markezin dhe Xhek Millerin që ishin në kuptimin e vërtetë të fjalës, “rrotë më rrotë”. Koha prej 2 minutash, 4 sekondash e 164 të mijëtat e Markezit ishte vetëm 15 të mijëtat më e shpejtë sesa ajo e australianit, ndërsa pas tyre, më i shpejti ishte kryesuesi i renditjes së përgjithshme të pilotëve, Fabio Kuartararo i “Jamaha”-s zyrtare.
Në fakt, me kapriçot e motit që kanë përcaktuar shumëçka sa i përket ecurisë së këtyre dy seanca të para të provave të lira në pistën e Ostinin në Teksas, ka qenë 6-herë fituesi i kësaj gare, Mark Markez, i mbiquajtur me përkëdheli edhe si “Captain America”, ai që i dha tonin të premtes, duke vendosur që në fillim kohët më të shpejta. Ndonëse renditja e këtyre dy seancave ndryshoi shpesh emër në krye të saj, gjithçka u vendos në fund, kur Kuartararo ishte më i shpejti, por Markez u rikthye, duke regjistruar kohën më të shpejtë.
Por dhe duke e mbajtur vendin e parë, pavarsisht sulmit të fundit të Xhek Millerit. Australiani ishte vetëm 15 të mijëtat më i ngadalë sesa spanjolli, ndërsa francezi ishte 202 të mijëtat e sekondës prapa. Këto dy seanca të para të provave të lira mund të rezultojnë vendimtare, pasi parashikimi i motit nuk e përjashton anulimin e dy seancave të tjera gjatë ditës së të dielës, dhe pilotët do t’u drejtohen provave zyrtare të mbrëmjes, që do të vijnë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport.
Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Moto GP – Provat e Lira (Seanca 1 dhe 2)
10 kohët më të mira:
Nr. Piloti Skuadra Koha
- Mark Markez (Repsol Honda Team) 2:04.164
- Jack Miller (Ducati Lenovo Team) + 0.015
- Fabio Kuartararo (Monster Energy Yamaha) + 0.202
- Pol Espargaro (Repsol Honda Team) + 0.388
- Taka’aki Nakagami (LCR Honda Idemitsu) + 0.448
- Françesko Banjaja (Ducati Lenovo Team) + 0.499
- Horhe Martin (Pramac Racing) + 0.513
- Johan Zarko (Pramac Racing) + 0.559
- Aleks Rins (Team Suzuki Ecstar) + 0.638
- Enea Bastianini (Avintia Esponsorama) + 0.672