AlbanianSport.com 27/03/2019 22:40
ASNN – Markez dhe Lorenco kërkojnë të sfidojnë “Dukatin” në garën e ardhshme të Botërorit të Motorëve, atë të Argjentinës. Dy pilotët spanjollë të “Hondës”, duan të marrin pikët maksimale në këtë garë për të synuar fitimin e titullit. Lorenco e ka marrë veten nga rrëzimi në garën e parë, ndërsa Markezi duhet të mundë “Dukatin” e Doviciozos për të shkuar te fitorja.
Mark Markezi është gati të sfidojë Andrea Dovizioson pasi nuk ka mundur të fitojë garën e parë të Botërorit të Motorëve, në Çmimin e Madh të Katarit. Vendi i dytë, i arritur në Losail, nuk ia ka hequr buzëqeshjen Markezit, i cili do të provojë të përsërisë atë tip gare të bërë dy javë më parë, ndoshta me një fund në favorin e tij, në garën e ardhshme, atë të Çmimit të Madh të Argjentinës.
Objektivi i tij është të luftojë sërish për fitore. Për të dhe Hondën është e rëndësishme të marrë sa më shumë pikë në luftën për fitimin e Botërorit. “U nisëm mirë në Katar dhe luftuam deri në fund për fitoren, – ka thënë “kampioni” në fuqi i botës. – Objektivi është i qartë, që do të luftojmë vetëm për fitore edhe në Argjentinë, për të marrë sa më shumë pikë.”
Ndërsa piloti tjetër i “Hondës”, bashkëatdhetari i tij, Horhe Lorenco kërkon ta harrojë atë nisje jo të mirë të Botërorit të Motorëve. Rrëzimi në garën e parë i kushtoi dëmtim spanjollit në kyçin e dorës dhe në kavilje. Por për garën e Argjentinës piloti spanjoll është tepër i motivuar. “Kyçi i dorës dhe kavilja janë më mirë, – ka thënë ai. – Edhe dhimbja në brinjë është përmirësuar shumë që nga gara.”
“Jam i përqëndruar në kthimin tim në garë, – ka vijuar ish-piloti i “Dukatit”. – Në të kaluarën, Argjentina nuk ka qenë një nga cirkuitet e mia më të forta, por “Honda” përfaqëson një tjetër mundësi”. Dhe këtë të dy pilotët spanjollë të skuadrës japoneze kërkojnë ta tregojnë në Argjentinë ku synojnë fitoren.