AlbanianSport.com 15/09/2019 15:40
ASNN – Ngadhënjen në fund në pistën e Mizanos, gjithçka erdhi drejtpërdrejt në RTSH. Mark Markezi është rikthyer tek fitorja në Botërorin e Moto GP-së, teksa ka fituar duelin në xhiron e fundit me Fabio Kuartararon dhe ka mbërritur i pari në finishin e Çmimit të Madh të San Marinos. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, edhe emocionet e një tjetër gare të jashtëzakonshme të botërorit më të shpejtë mbi dy rrota u përcollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kishte dy gara që xhiroja e fundit i ishte shndërruar në makth dhe ajo e Mizanos të dielës por i shëmbëllente me një “Deja vu”, teksa ishte prapa Fabio Kuartararos, por edhe pse e parakaloi, u parakaluar shpejt prej tij. Papritur, “hijet” e Austrisë dhe ato të Britanisë së Madhe, u rishfaqën në horizontin e Mark Markezit, i cili po i drejtohej garës së 3-të pa fitore. Por, në një provë të vërtetë karakteri, spanjolli nxorri në pah anën e tij më të mirë, duke e parakaluar francezin e “Jamaha”-s.
Duke e detyruar madje edhe të gabojë dhe duke mbërritur i pari në vijën e finishit të Çmimit të Madh të San Marinos. Kjo ishte fitorja e 7-të në këtë sezon të Moto GP-së për kampionin në fuqi të botës dhe kryesuesin e renditjes së përgjithshme të pilotëve, i cili ngadhënjen për herë të 3-të në pistën e Mizanos dhe regjistron fitoren e tij të 77-të në 199 gara që ai ka bërë në të 3 nivelet e këtij Kampionati Botëror. Përtej triumfit të Markezit, ajo e Mizanos ishte një garë e mirë për “Jamaha”-n.
Sepse skuadra kliente e “Petronas”-it mori shkallën e dytë të podiumit, ndërsa vetë skuadra zyrtare mori shkallën e 3-të, me Maverik Vinjalesin. Por edhe vendin e 4-t, me Valentino Rosin, dhe vendin e 5-të, me motorin tjetër të “Petronas”-it, atë të Franko Morbidelit. Dhjetëshen e të parëve e plotësoi Andrea Doviciozo, Pol Espargaro, Joan Mir, Xhek Miller dhe Danilo Petruçi. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, edhe emocionet e një tjetër gare të jashtëzakonshme të botërorit më të shpejtë mbi dy rrota u përcollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.