AlbanianSport.com 20.08.2016 10:40
ASNN – Botërori i Motorëve ka dhuruar surprizën e radhës në pistën e Bërnos. Piloti spanjoll i “Honda”-s, Mark Markez ka vendosur rekord në provat zyrtare të së shtunës pas një xhiro tepër të shpejtë. Ai do të niset nga vendi i parë në garën e së dielës, të vlefshme për Çmimin e Madh të Republikës Çeke në Botërorin e Motorëve.
Kështu, Mark Markez do të niset i pari në garën e së dielës. Piloti spanjoll i “Honda”-s ka bërë një xhiro të jashtëzakonshme në provat zyrtare duke zënë vendin e parë në nisje, por edhe duke thyer rekordin e pistës, me kohën 1 minutë, 54 sekonda e 596 të mijëtat.
Në vijën e parë të nisjes do të jenë edhe Lorenco me “Jamaha”-n dhe Janone me “Dukati”-n. Spanjolli i “Jamaha”-s, Lorenco, ka udhëhequr gjatë gjithë kohës së provave zyrtare, por në xhiron e fundit, koha e vendosur nga bashkëkombësi i tij, Mark Markez, ka qenë e jashtëzakonshme.
Valentino Rosi me motorin e tij “Jamaha” nuk ka mundur të shkojë më shumë se vendi i gjashtë. Gjithçka i mbetet garës së të dielës, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar.